Gjatë vitit 2017, në zyrat e Avokatit të Popullit në Tetovë është vepruar në 484 raste, ndërsa lëndë të reja kanë qenë gjithsej 370. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar rreth 700 biseda me qytetarë. Kështu ka informuar zëvendës/avokatja e Popullit e zyrës në Tetovë, Irina Stojanovska. Sipas saj, gjatë hapjes së procedurës pasi janë shkelur të drejtat dhe liritë e qytetarëve, në 324 lëndë është pranuar intervenimi i Avokatit të Popullit.

“Edhe këtë vit numri më i madh i parashtresave janë pranuar personalisht në zyrën e Avokatit të Popullit, ndërsa gjithnjë e më pak ka parashtresa që dorëzohen përmes postës elektronike dhe telefonit. Më shumë parashtresa janë në sferën ku qytetarët ankohen për obligim të dyfishtë me taksën radiodifuzive dhe ajo që është më shqetësuese, është se nuk ka koordinim mes Drejtorisë për të Ardhura Publike dhe Radio Televizionit të Maqedonisë.

Ashtu sikurse në qytetet tjera, edhe në Tetovë më shumë anëtarëve të një familje u është bllokuar llogaria për mos pagesë të taksës radiodifuzive, ndërsa edhe pse në shtator të vitit të kaluar është shfuqizuar taksa radiodifuzive, qytetarëve u janë bllokuar llogaritë bankare. Në këtë drejtim janë bllokuar edhe xhirollogari të rasteve sociale”, tha për gazetën Koha, Irina Stojanovska, zëvendësavokate e Popullit në Tetovë dhe Gostivar. Qytetarët Tetovës dhe rrethinës edhe vitin e kaluar janë ankuar për shkak të zhagitjeve të lëndëve nëpër gjykata.

“Për shkak të pasivitetit dhe komunikimit të keq mes gjykatave me pushtetin ekzekutiv, në këto labirinte ndodhen mijëra lëndë që zhagiten dhe prej këtyre lëndëve varet edhe fati i atyre qytetarëve. Po ashtu janë dorëzuar parashtresa edhe në punën e përmbaruesve, sepse përmes procesit të përmbarimit, janë bërë pagesa të detyrueshme edhe nga ata që kanë marrin ndihma sociale. Ne si zyrë e Avokatit të Popullit kemi dërguar ankesa tek përmbaruesit dhe të njëjtat janë pranuar”, deklaroi Stojanovska.

Më pas janë lëndët që kanë të bëjnë me të drejtat pronësoro-juridike, mbrojtja sociale, sigurimi pensional dhe invalidor, urbanizimi, marrëdhëniet e punës… Stojanovska ka nënvizuar se është përmirësuar bashkëpunimi me organet shtetërore të nivelit të lartë, ashtu edhe me atë lokal. Nga kjo zyrë theksojnë se tashmë qytetarët kanë kuptuar funksionin e kësaj zyre.

“Është e vërtetë se në fillim kishim ankesa të llojeve të ndryshme nga qytetarët, të cilët nuk kishin të bëjnë me institucionin tonë. Tashmë kjo qasje ka ndryshuar dhe njerëzit na drejtohen në raste kur vërtetë shkelen të drejtat e tyre në forma të ndryshme”, sqaron Stojanovska. Poashtu numër të madh të parashtresave ka edhe ndaj EVN-së, sidomos faturave të vjetruara, të cilët procedohen tek ky institucion nga ana e Avokatit të Popullit.

Sipas saj, pas hapjes së kësaj zyre, në fillim ka pasur ankesa të llojeve të ndryshme nga qytetarët, të cilët nuk kishin të bëjnë me këtë institucion. Tashmë kjo qasje ka ndryshuar dhe njerëzit na drejtohen në raste kur vërtetë shkelen të drejtat e tyre në forma të ndryshme, shprehet zëvendës/avokatja e Popullit në Tetovë.

Ajo nënvizoi se me kalimin e viteve edhe parashtresat ndryshojnë, ndërsa gjyqësia dhe të drejtat e konsumatorëve nuk kanë ndryshuar, sepse të njëjtat përsëriten tashmë një dekadë. Më herët parashtresa ka patur edhe për lëndët e denacionalizimit, të drejtat e pacientëve ku fondi nuk u ka refunduar mjetet e harxhuara për barna dhe shërim. Brenda vitit, mbi 500 parashtresa dorëzohen nga ana e qytetarëve tek zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë./Koha/