Vendimi për mbylljen e disa programeve studimore në kuadër të UT-së, është antikushtetues dhe në kundërshtim me ligjin për arsim të lartë. Kështu thotë njëri ndër themeluesit e Universitet të Tetovës, Milaim Fejziu, i cili sot së bashku me disa profesor të tjerë dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të këtij vendimi. Ai shpjegoi se bëhet fjalë për shkeljen e nenit 46 të kushtetutës, i cili garanton autonomin e universiteteve dhe sipas të cilit pa pëlqimin e organeve më të larta të universiteteve nuk mund të tërhiqet asnjë program studimor. Fejziu tha se me heqjen e këtyre programeve studimore që parashihen të hudhen në universitetin e ri në Shkup po dëmtohet rëndë UT-ja.

“Në vend që Ministria e Arsimit t’i ngritë këto drejtime në kuadër të USHT-së në fakultete ajo bën një hap të pamatur duke i heq këto programe dhe duke i hudh në një universitet që duhet të themelohet në të ardhmen”, ka deklaruar Milaim Fejziu, njëri ndër themeluesit e UT-së.

Duke iu drejtuar strukturave udhëheqëse të UT-së, Fejziu tha se ata nuk duhet  që të pranojnë diktate partiake dhe politike.

 “Dëshiroj ti drejtohem edhe ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, por edhe partisë në pushtet BDI-së që të heqin dorë dhe të jenë larg UT-së, nuk ka arsye që mund ta arsyetoj këtë veprim të ministrisë e cila duke dëmtuar një universitet dëshiron të hap universitet të ri. Kjo nuk është rruga që duhet ndjekur, sidomos kur bëhet fjalë për një ministër shqiptar, për një ministri që udhëheqin shqiptarët ose një parti shqiptare në pushtet”, ka shtuar më tej Fejziu.

Fejziu ka shtuar se nuk do të heq dorë nga kjo iniciatvë edhe sikur gjykata të hedh poshtë kërkesën. Sipas tij, heqja e këtyre programeve do të thotë se ekziston ndonjë skenar për mbylljen e këtij universiteti.

 “Ai universitet është themeluar me gjak, ai universitet është themeluar me shumë sakrifica, ka pasur mbështetjen e fuqishme të popullatës shqiptare. Atë universitet 10 vite me rradhë, derisa nuk e zyrtarizoi Qeveria, e financonte populli shqiptar dhe nuk mund dikush të tallet me atë universitet”, ka thënë Fejziu.

Në janar, Qeveria me ligj të posaçëm mbylli 6 programe studimore nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Sipas nenin 5 të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për themelim të Universitetit Shtetëror në Tetovë, mbyllen gjashtë programe studimore në Universitetin e Tetovës, të cila janë: Ndërtimtaria, Arkiterktura, Mekatronika, Inxhinieria e Transport- Komunikacionit, Gjeodezia, Gjeoinformatika dhe Inxhinieria Ekonomike./Shenja