Qyteti i Shkupit do t’i zhvendos anijet nga Vardari. Komuna Qendër nga ana tjetër, largon një pjesë të përmendoreve. Pushteti i ri lokal nisi procedurën për çmontimin e projektit “Shkupi 2014”.

Edhe nga Qyteti i Shkupit edhe nga Komuna Qendër pohojnë se kanë konstatuar një sërë parregullsish dhe shkelje të procedurave për vendosjen e një pjese të objekteve. Anijet, sipas dokumentacionit, janë vendosur me leje për pajisje urbane. Sipas kryetarit të Asociacionit të arkitektëve, Martin Panovski anijet në Vardar duhet larguar, edhe nga aspekti ligjor edhe nga ai estetik.

“Ato nuk janë pajisje urbane, dihet se çfarë janë pajisjet urbane. E dyta, është se ato atje janë në një vend totalisht të panevojshëm. Pra, nuk bëhet fjalë për objekte që janë me rëndësi artistike, për shembull të jenë skulptura, ato janë restorante dhe kafene”, deklaroi Martin Panovski, kryetar i Asociacionit të arkitektëve të Maqedonisë.

Panovski nuk sheh arsye për të vepruar lidhur me çështjen e shpenzimeve financiare që duhen për largimin e objekteve nga “Shkupi 2014”. Pushteti nuk guxon të kursejë para për këtë, shprehet ai më tej.

“Pra, kemi blerë një karrige në shtëpi që nuk e zë në shtëpi dhe tërë kohën e godasim me këmbë dhe ne nuk do ta largojmë vetëm për shkak se e kemi blerë. Dëmi nuk është nëse unë do ta shikoj kiçin, dëmi është që fëmijët i edukojmë me këtë kiç, atyre do t’u duket si diç normale. Ky është një rrezik për tërë shtetin”, theksoi Martin Panovski.

Kryetari i Qendrës, Sasha Bogdanoviq shprehet se është nisur procedura për verifikimin nëse përmendoret në territorin e komunës janë vendosur në pajtim me procedurat ligjore. Ai paralajmëroi se përmendorja e parë për të cilën do të japë urdhër që të largohet është ajo e Andon Janev- Qoseto, e vendosur para Gjykatave në Shkup.

“Do të zbatohet procedurë në përputhje me rregullat ligjore. Në rast se diçka është ndërtim pa leje, do të fillohet me largimin e ndërtimit të paligjshëm gjegjësisht do të informohet investitori, ai që e ka vendosur përmendoren se është vendosur një ndërtim i paligjshëm në territorin e komunës Qendër dhe do të trajtohet si çdo ndërtim tjetër pa leje”, deklaroi Sasha Bogdanoviq, Kryetari i Komunës Qendër.

Nga Ministria e Kulturës shprehen se versioni punues i analizës së projektit “Shkupi 2014” është tashmë gati dhe pasi të shqyrtohet nga të gjitha institucionet kompetente, të dhënat do të prezantohen publikisht. Paralajmërojnë se procedura do të zhvillohet në mënyrë transparente e lidhur me atë nëse do të ketë largim të përmendoreve të caktuara, do të varet nga institucionet nga të cilat ato janë vendosur.