Ish – kryetari i komunës së Gostivarit, themeluesi i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare në Maqedoni, Rufi Osmani, është tërhequr nga Kryesia Qendrore dhe Kuvendi Qendror i kësaj partie.

Në njoftimin e tij drejtuar organeve të partisë, Osmani deklaron se tërheqja e tij është parimore dhe rrjedhë logjike e tërheqjes paraprake nga pozita e kryetarit të partisë në shenjë përgjegjësie për rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2014.

Më tutje, Osmani përmend angazhimin e tij për të arritur një koalicion parazgjedhor të Aleancës Shqiptare me Këshillin Opozitar, që sipas tij, për synim ka patur ikjen nga gabimi që bëri opozita në Kosovë, e cila duhej të bëhej bashk para zgjedhjeve, me çka do të arrinte të qeveriste me Kosovën. Kjo nënkupton se Osmani mbështet fuqishëm një koalicion të Aleancës dhe Këshillit Opozitar.

Në lidhje me këtë dorëheqje të paktheyshme të Rufi Osmanit, Telegrafi kontaktoi zyrtarin e lartë të RDK-së, Artan Dika, i cili u prononcua se ish – kryetari i RDK-së nuk e ka braktisur këtë parti, por ai është tërhequr nga Kryesia Qendrore dhe nga Kuvendi Qendror i RDK-së. Kjo nënkupton se Osmani vazhdon të mbetet anëtar i kësaj partie./telegrafi