Shkrimtari i njohur Kim Mehmeti ka komentuar raportimet e mediave se kryetari i BDI’së më në fund ia ka dalë ta ‘pushtojë’ Kumanovën, por i përcjellë nga autoblinda dhe forca të mëdha policore?! “Dhe kush mund ta paramendonte se në Kumanovë, aty ku u shënua kalendari i rezistencës, i krenarisë dhe i trimërisë së shqiptarëve të Maqedonisë, do përjetonim diçka që nuk e kishim parë as në kohët e ‘Morinave’ tanë: që një politikan shqiptar të ketë frikë t’i kthehet popullit i pambrojtur nga policia maqedonase! Dhe ku ta dish, mbase e gjitha kjo na ndodh pse e tradhtuam gjakun e atyre që flijuan krejt çka patën për lirinë që duhej të na takonte të gjithëve, por të cilën liri nuk ia dolëm ta mbronim nga leninistët dhe enveristët të ardhur nga e djeshmja e jonë tragjike, nga ata që përvetësuan e përbuzën çdo gjë tonën dhe që kurrë nuk do e kuptojnë se ka lloj-lloj ‘vdekjesh’ politike, por asnjëra s’është aq poshtëruese dhe e turpshme sa ajo e politikanit që popullit të vet i kthehet i fshehur pas shpinës së policëve!”, shkruan shkrimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti.