Kreu aktual i RDK-së Vesel Memedi ka akuzuar për puç brenda partisë ish kryetarin Rufi Osmani. Sipas Memedit puçi kundër tij kishte për qëllim realizimin e politikave të lëvizjes Besa. Memedi përveç Osmanit akuzoi edhe sekretarin gjeneral të partisë Zenun Ismaili, Artan Dikën, BInas Pajazitin dhe të tjerë, për të cilin tha se kanë qenë gjatë gjithë kohës në shërbim të Lëvizjes besa.

“Deklarova publikisht se prapa këtij skenari të errët qëndron ish kryetari i RDK-së dhe ajo u vërtetua dhe këta fakte do i ndaj me Ju më vonë. Por e përshëndes tej mase tërheqjen e ish kryetarit të RDK-së pasi pa seriozitetin e kësaj pune. Prandaj, më duhet të veçoj sekretarin gjeneral të partisë Zenun Ismailin, nga faktet që më janë ofruar gjatë tërë kohës ai i ka shërbyer me përkushtim lëvizjes BESA. E tërë kjo lojë ishte e projektuar dhe adresuar kundër personalitetit tim por si ekzekutor të kësaj loje u zgjodhën këto persona: Zenun Ismaili sekretar i RDK-së, Artan Dika anëtar i kryesisë qendrore, Binas Pajaziti anëtar i kryesisë qendrore, kryetar i degës së RDK-së dhe nënkryetar partie, dhe i vet kandiduari për kryetar Fadil Zendeli”, tha Vesel Memedi. Kryetar i RDK-së.

Memedi në takimin e sotëm me gazetarët, ka shpërndarë edhe disa stenograme që pretendohet të jenë bisedat mes personave të lartpërmendur, ku flasin se do të bëhet shkarkimit i kreut aktual të RDK-së dhe zëvendësimi i tij me kryetar të ri. Ndërkohë sa i përket paralajmërimit për mbajtje të kuvendit nesër pasdite ku pritej edhe të votohet ndërrimi i kryetarit të RDK-së, Veseli tha se kjo nuk do të mbahet.

“Nesër nuk do të ketë kuvend qendror por brenda javës do të informohen njerëzit e vërtetë dhe të drejtë të kuvendit qendror dhe këta njerëz me automatizëm do të suspendohen dhe shkarkohen menjëherë nga organet partiake të RDK-së”, tha Vesel Memedi. Kryetar i RDK-së.

Ndërkohë ish kryetari i RDS-së Rufi Osmani i kontaktuar nga Alsat për akuzat ndaj tij, shprehet se nuk ka për qëllim të përzihet në rivalitetin mes dy grupimeve pavarësisht nga fakti qe apostrofohet direkt. Sipas tij ofendimet e bëra manifestojnë një nivel te ulët të moralit dhe le tu shërbejë në nder atyre që kanë ofenduar pa të drejtë.