Deputeti dhe anëtari i Kryesisë Qendrore të BDI-së, Rafiz Aliti në emisionin #DEBAT të udhëhequr nga kryeredaktorja e Portalbit, Elida Zylbeari, ka diskutuar për çështjet aktuale politike, platformën e BDI-së, por dhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Aliti tha se nëse nuk plotësohen kërkesat e BDI-së, ajo nuk do të koalicionojë me asnjë parti maqedonase, gjegjësisht nuk do të hyjë në qeveri.

“Nëse nuk plotësohen kërkesat BDI nuk do të koalicionojë me asnjë parti maqedonase”, tha Aliti.

I pyetur se përse BDI nuk e mbajti premtimin e dhënë në zgjedhjet e kaluara, për integrime në BE dhe NATO, është përgjigjur se partia e tij ka qenë e gatshme që madje t’i sakrifikojë edhe disa interesa shqiptare vetëm që Maqedonia të anëtarësohet në BE dhe NATO, por siç tha ai, partneri i koalicionit, atë që ia ka premtuar BDI-së se do ta përkrahë për euro-integrimet i ka pasur vetëm fjalë.

“Ne kemi qenë të gatshëm që të heqim dorë nga disa interesa të shqiptarëve vetëm që Maqedonia të integrohet në NATO dhe BE. Klasa politike maqedonase nuk ka interes që interesat shtetërore t’i vendosë mbi ato partiake, kjo bëhet për interesa partiake dhe jo për të qytetarëve. Maqedonia nuk ka rrugë tjetër përveç NATO-s dhe BE-së. Kemi hyrë në koalicion pasi që kemi marrë garanci nga partia e koalicionit për euro-integrime, dhe të gjithë e dinë se ata në opinion e thonë se strategjia e tyre është NATO dhe BE, por defakto ajo është vetëm me fjalë, pra është retorikë”, deklaroi Aliti.

Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Aliti deklaroi se mosbalancimi i votave në njësitë zgjedhore, është në dëm të shqiptarëve, ndërkaq kjo mund të shërbejë si alibi që pas 11 dhjetorit dikush të mos i pranojë zgjedhjet

“Nëse dikush nuk do të shkojë në zgjedhje ka 1001 arsye, në këtë vend ka shumë arsye për të mos shkuar në zgjedhje, megjithatë marrëveshja është marrëveshje dhe duhet të respektohet. Në lidhje me mosbalancimin e votave në njësitë zgjedhore, ne nuk është dashur ta lëmë këtë çështje, pasi që pas 11 dhjetorit do të krijohet alibi për të mos i pranuar zgjedhjet dhe më pas prapë do të kërkohen zgjedhje të parakohshme. Pa balancim po shkojmë në zgjedhje pasi që nuk kemi pasur marrëveshje”, deklaroi Aliti.

Formimi i shumë partive politike, për Alitin është në dëm të interesit shqiptar, pasi që përçahet vota shqiptare. mund të na gjejë fenomeni i Malit të Zi, pasi që do të përçahet vota shqiptare./portalb