Nga Enver GASHI

Edhe zyrtarisht filloi rrugëtimi drejt vendlindjes i mërgimtarëve tanë. Natyrisht se u dëshiroj rrugë sa më të mbarë e më të rehatshme, megjithëse me dekada të tëra itinerari i tyre është njëri nga më të rrezikshmit në botë, duke përfshirë këtu kufirin slloveno-kroat dhe atë kroato-serb. Një barrierë e cila u ka lënë plagë të pashërueshme shumicës që udhëtojnë me komunikacion rrugor, duke u përballur me pritje të gjata e të mundimshme, e që kanë rezultuar me nervozizëm e durim të pashoq, sa për të ardhur në vendlindje e për t’i parë më të afërmit. Po them për t’i “parë”, pasi këta njerëz vërtetë janë heronj të jetës bashkëkohore, të cilët nuk i hezitojnë asnjë pengesë, vetëm e vetëm për tќi përqafuar të afërmit e tyre, qofshin ata prindër, kushërinj, apo familjarë të tjerë.

Me këtë rast, ata i janë ekspozuar një jete dhe mentaliteti krejtësisht të ndryshëm nga vendet përkatëse ku banojnë. Përse heronj, do të parashtronte pyetjen ndokush? I njoh disa raste të bashkatdhetarëve, të cilët nuk i kanë më prindërit dhe as që u bie ndërmend të shkojnë nëpër këtë “rrugë ferri” sa për të “pushuar” në vendlindje. “Më mirë do të shkoj në deti, diku nga Tunizia, Maroko apo Turqia që vërtetë të pushoj se sa të maltretohem në mënyra të ndryshme në vendlindje”, është mendimi i tyre. Unë për vete kënaqem kur vi atje, për x arsye, nuk e di përse.

Po, si do të rrjedhin gjerat kur të shuhet edhe gjenerata e parë që doli në mërgim? Është pothuajse e paimagjinueshme që fëmijët tanë të marrin ndonjë iniciativë pa ndihmën tonë që të vizitojnë vendlindjen. Asgjë nuk i tërheq atje, as që kanë me se të krenohen për të arriturat e vendlindjes së prindërve. Vendasit dhe mërgimtarët nuk njihen aspak ndërmjet vete, bëhet fjalë për dy botëra krejtësisht të ndryshme. Po, pasuritë e patundshme që ua kanë përgatitur prindërit duke punuar e kursyer tërë jetën. Ato do të mbesin vetëm gërmadha të shtrenjta me miliarda e miliarda euro. Qofsha gabim.

Sidoqoftë, unë personalisht mendoj se duhet organizuar më tepër ngjarje kulturore për mërgimtarët, në mënyrë që të rinjtë të njoftohen me jetën e pasur kulturore shqiptare, t’u bëhet bre një mikpritje pak më e denjë, sa kushtojnë bre disa mbishkrime që mungojnë nëpër Shkup, psh “MIRËSEVINI MËRGIMTARË” apo diçka të ngjashme? Që kur nuk kam dëgjuar më, që ndonjë shoqëri kulturo artistike të mbaj ndonjë koncert vullnetar në ndonjë shesh të paktë të shqiptarëve, sa shumë krenoheshim me “Emin Durakun”, “Ibe Palikuqin”, teatrin shqiptar, shoqata të ndryshme të letrarëve etj. “Ditët e mërgimtarëve” po mungojnë dhe me doemos duhet reaguar, para se dekadave të ardhshme të reduktohet drastikisht vizita e mërgimtarëve në vendlindje. Veç sa për të shkruar diçka… Pushim të këndshëm mërgimtarë!!!