Diaspora e Kosovës gjatë vizitave në vendlindje, në pikat kufitare paguajnë rreth 7 milionë euro në vit për kartonin e gjelbër.

Në mungesë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove të Kartonit të Gjelbër, bashkatdhetarët tanë do të vazhdojnë të paguajnë këtë polisë edhe sivjet.

Në lidhje me shumën totale që paguhet, Blerim Pushkolli, drejtor në Byronë Kosovare të Sigurimeve ka deklaruar: “Të hyrat nga primet e sigurimeve, të cilat për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2016 janë në vlerë prej 7 milionë euro (pa tvsh). Edhe për vitin 2017 është vlera përafërsisht e njëjtë e shitjes”, thotë ai, raporton ‘Ekonomia Sot.com’.

Sipas tij arsyet për pagesën e kësaj polise të sigurimit janë se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, përcjell albinfo.ch.

Ai thotë se për Kartonin e Gjelbër nuk paguajnë qytetarët nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria, pasi Kosova ka të nënshkruar memorandum për njohje reciproke të Kartonit të Gjelbër me këto shtete.

“Mbi 5 milionë euro janë paguar dëme gjatë vitit 2016, ndërsa shpenzimet administrative dhe operative kanë qenë rreth 2 milionë euro. Gjithashtu në vitin 2017 janë paguar dëme, mbi 5 milionë, ndërsa shpenzimet operative gjate vitit 2017 kane qenë rreth 2 milionë”.