Ka përfunduar takimi i ministrave të jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të BE-së në Berlin. Shtetet e BE-së kanë kërkuar nga Britania që të zhvillojë bisedime të shpejta për të lënë bllokun, pas votimit për ti dhënë fund anëtarësimit të saj në BE.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se bisedimet duhet të fillojnë “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ai i bëri këto komente pas takimit urgjent të ministrave të jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të BE-së për të diskutuar rreth vendimit të britanikëve, raporton BBC.

Kryeministri britanik David Cameron ka thënë se do të largohet në tetor nga pozita e udhëheqësit të Mbretërisë së Bashkuar, për ti lejuar pasardhësit e tij çështjen e bisedimeve.

Gjashtë vendet që kanë marrë pjesë në samitin e Berlinit janë: Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Lukesmburgu dhe Holanda, transmeton kp.

“Ne themi njëzëri se duhet të merremi sa më shpejt me procesin e largimit të Britanisë, në mënyrë që të mos lihet kjo gjë në harresë, por të përqendrohemi më shumë në të ardhmen e Evropës”, ka deklaruar ministri i jashtëm gjerman, Steinmeier.

Homologu i tij holandez Bert Koenders ka thënë se kontinenti evropian nuk mund të pranojë vakum politik, duke thënë se “kjo çështje nuk mund të trajtohet si biznes, si zakonisht”.

Samiti i parë i liderëve të BE-së, pa përfaqësues britanik do të mbahet të mërkurën, një ditë pasi David Cameron do të zhvillojë një takim me anëtarët.

Mbretëria e Bashkuar tani duhet të thirret në nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, e cila i përcakton një afat kohor dy vjeçar rreth negociatave të tërheqjes.