Turqia nxiti Bashkimin Evropian të hënën të rihapte negociatat për anëtarësimin në bllok të Ankarasë, duke thënë se pa të Evropa ishte e paplotë. Ministri i jashtëm Mevlut Cavusoglu, duke folur në një konferencë të ambasadorëve, tha se kërkonte hapjen e kapitujve të tjerë të anëtarësimit dhe heqjen e pengesave artificiale në negociata.
 
“Duhet të bëhet menjëherë liberalizimi i vizave për qytetarët turkë në BE”, tha ai, duke iu referuar premtimit për udhëtimin e lirë të rreth 80 milionë turqve që Evropa bëri pa smarrveshjes së refugjatëve marsin e kaluar. Progresi në këtë pikë është ndaluar prej kërkesave të BE për zbutjen e ligjeve të terrorit në vend, për të siguruar që ato nuk shkelin të drejtat e njeriut. Por pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik Turqia nisi një fushatë të gjerë arrestimesh e shkarkimesh, që u kritikua ashpër nga Evropa.
 
“Ne kemi luajtur një rol të rëndësishëm për çështjet evropiane dhe do të vazhdojmë ta bëjmë në të ardhmen. Evropa pa Turqinë është e paplotë”, tha Cavusoglu, i cili gjithashtu besonte në përmirësim të marrdhënieve me SHBA, pas ardhjes në zyrë të Donald Trump. “Ne besojmë se administrata e re e SHBA nuk do të bëjë të njëjtat gabime si në të shkuarën”, tha ai.