Me një borxh të përgjithshëm prej 45 milionë eurosh, kompania shtetërore “Hekurudhat e Maqedonisë-Transporti” është rekorder mes institucioneve shtetërore sipas faturave të arritura për pagesë.

Ministria e Financave njoftoi se borxhi i përgjithshëm i përdoruesve të buxhetit arrin në 307 milion euro, ndërsa në qoftë se hiqet borxhi prej 97 milion euro që e kanë komunat, detyrimet e papaguara të institucioneve publike dhe shtetërore dhe ndërmarrjeve ndaj sektorit privat dhe publik arrijnë në 210 milion euro. Pesë vendet e para në listë me borxh më të madh janë edhe ndërmarrja e ujësjellësit nga Ohri dhe Struga, “Proakva”, e cila ka borxhe prej 14 milion euro.

Top 5 borxhlinjtë shtetëror:

Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti     45 milionë euro

Proakva                                                          14 milionë euro

Klinikat e Shkupit                                         13 milionë euro

RTVM                                                             8.5 milion euro

Ndërmarrja Publike -Kumanovë                 7.5 milionë euro

Klinikat e Shkupit kanë borxh prej 13 milionë euro, ndërsa i katërti në listë është Radio Televizioni i Maqedonisë me një borxh prej 8,4 milionë euro, kurse vendi i pestë i takon Ndërmarrjes Komunale të Kumanovës me 7 milion e gjysmë. Por, ministri i financave Dragan Tevdovski nuk është i shqetësuar. Përkundrazi, ai thotë se pasi që qeveria e re ka filluar të qeverisë shtetin, borxhet totale të përdoruesve të buxhetit janë zvogëluar për 56 milionë euro.

Ulja ka të bëjë kryesisht me reduktimin e detyrimeve të papaguara tek shfrytëzuesit e buxhetit në nivel kombëtar në shumë prej 3.6 miliardë denarë krahasuar me muajin maj të vitit 2017″- theksoi Dragan Tevdovski, ministër i Financave.

Megjithatë, pavarësisht reduktimit të borxhit total, në listë ka institucione publike dhe kompani që kanë borxhe të mëdha, të cilat vështirë i shlyejnë. Këtu bëjnë pjesë disa ministri dhe Ndërmarrje Komunale”.

Ministri, institucione publike dhe ndërmarrje komunale:

REM                                                                                      7 milion

Hekurudhat e Maqedonisë  Infrastruktura                       6.6 milion

Konvikti studentor shtetëror                                             4.5 milion

Ujësjellësi dhe Kanalizimi Shkup                                      3.5 milion euro

Ministria e Arsimit                                                               2.3 milion euro

Ministria e Shëndetësisë                                                    1.7 milion euro

SHPPP                                                                                  1.7 milion euro            

Kështu, borxhi i Burimeve Energjetike të Maqedonisë, kompania që e ndërton gazsjellësin, arrin në 7 milionë euro. Hekurudhat e Maqedonisë- Infrastruktura ka borxh prej 6.6 milionë euro, ndërsa borxhi i përgjithshëm i Konviktit Studentor Shtetëror është 4.4 milion. Lart në listë është edhe Kompania Ujësjellësi dhe Kanalizimi Shkup me një borxh prej 3.4 milion dhe Ministria e Arsimit me 2.2 milion euro. Ministria e Shëndetësisë detyrohet 1.7 milion euro. Të gjitha këto borxhe hyjnë në borxhin publik total të shtetit, i cili në gusht e ka tejkaluar shumën prej 5 miliardë euro./Alsat-M/