Një 15 vjeçar ka vrarë nga pakujdesia vëllanë e tij vetëm 12 vjeç. Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e sotme në fshatin Petoq në Fan të Mirditës.

Përmes një njoftimi për median, policia e Lezhes informon se pasditen e 15 nëntorit dy vëllezërit e mitur kanë qenë bashkë duke ruajtur bagëtitë në mal.

“Dyshohet se duke luajtur me një armë zjarri automatik, 15 vjeçari E.T. nga pakujdesia dyshohet se ka vrarë vëllanë e tij 12 vjeç D.T. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 18:00, në fshatin Petoq në Fan – Mirditë. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit për ekspertizën e plotë mjeko – ligjore. Arma e zjarrit automatik si dhe 2 gëzhoja të gjetura në vendngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, ka thënë Policia, raporton ABCNews.

Babai i djemve, shtetasi E.T., si dhe disa persona të tjerë, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mirditë, në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të ngjarjes.