Luka Modric, kapiteni i ekipit kombëtar kroat, është një ndër pandehurit në procedurën kundër Zdravko Mamicit dhe klanit të tij, për shkak të krimeve të rënda ekonomike dhe tërheqjes së parave nga klubi i qytetit, Dinamo Zagreb.

Pas hulumtimit, Zyra e Avokatit të Shtetit në Gjykatën Komunale të Osijekut ka ngritur kallëzim penal kundër Luka Modricit për dëshmi të rreme në gjyqin kundër Mamicit.

Sipas ligjit penal kroat, mesfushori i Real Madridit do të mund të dënohet me burgim për gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Modric në qershor të vitit 2017, para gjykatës Osijekut, ka pranuar se ka marrë një shumë të hollave me rastin e transferimit në Tottenham Hotspur nga Dinamo Zagreb në vitin 2007, ndërsa një pjesë të tyre ia ka dhënë në dorë një familjarit të Mamicit.

Një vit më parë, Modric foli për të njëjtat detaje në gjyqin e USKOK-ut, dhe shumë prej tyre pohonte t’i ketë harruar.

Për këtë arsye, kundër tij është ngritur aktakuzë për dëshmi të rreme dhe mund të përfundojë në burg.

Kujtojmë se kroati kohët e fundit ka arritur një marrëveshje me prokurorinë spanjolle për t’iu shmangur burgut, sepse gruaja e tij Vanja, përmes një kompanie fiktive në Luksemburg, ka dëmtuar administratën tatimore spanjolle për të paktën 870,728 euro, duke mos e paguar tatimin në pagë. /Telegrafi/