Fëmijët dikur kalonin më shumë kohë duke luajtur jashtë shtëpisë, me top, duke ngarë biçikletën përreth shtëpisë etj. Ndërsa në ditët e sotme ata qëndrojnë më shumë brenda duke luajtur me pajisjet elektronike.
Sipas një studimi të ri, ky ndryshim në kulturë po dëmton sytë e fëmijëve – jo vetëm nga qëndrimi për një kohë të gjatë para ekraneve të pajisjeve elektronike, por edhe nga mungesa e rrezeve të diellit.
Shkencëtarët tek Shkolla e Higjienës dhe Mjekësia Tropikale në Londër kanë zbuluar se ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet B ul në mënyrë drastike rrezikun e zhvillimit të miopisë (shkurtpamësia).
Ata thonë se është shumë e rëndësishme ta marrim diellin gjatë fëmijërisë për të ulur rrezikun e zhvillimit të miopisë kur rritemi.
Miopia është një defekt i shikimit që shkaktohet nga një sërë faktorësh mjedisorë dhe gjenetikë. Ajo ka filluar të përhapet shumë këto kohët e fundit.
Duke u bazuar tek studimet e mëparshme, një ekip shkencëtarësh, të kryesuar nga dr. Astrid E. Fletcher, nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër shqyrtuan lidhjen midis rrezeve ultraviolet B dhe miopisë.
Ata morën të dhënat e pjesëmarrësve mbi 65 vjeç nga 6 studime të ndryshme. Nga 4,187 pjesëmarrës, 4,166 prej tyre bënë një ekzaminim të syve dhe iu përgjigjen një pyetësori.
Pasi i përjashtuan disa pjesëmarrës për faktorë të ndryshëm, në grupin përfundimtar mbetën 371 pjesëmarrës me miopi dhe 2,797 pa këtë defekt të syrit.
Në fund të studimit, shkencëtarët zbuluan se ekspozimi i lartë ndaj rrezeve ultraviolet B në moshën 14-19 vjeç dhe 20-39 vjeç ulte rrezikun për zhvillim të miopisë.
Ata testuan gjithashtu edhe suplementet – si vitamina D – për të parë nëse mund ta ulte rrezikun, por nuk gjetën asnjë lidhje mes saj dhe shëndetit të syve.