Asociacioni Qytetar MOST për vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe në ditën e votimit do të angazhojë rreth 3.300 vëzhgues në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë.

Për këtë qëllim MOST u bën thirrje qytetarëve, personalisht, të paraqiten në 18 zyrat rajonale në mbarë vendin të cilat do të jenë të hapura prej orës 10 deri në orën 18. Të dhënat me informacionet kontaktuese për zyrat rajonale, njoftojnë prej MOST-it, do të mund të gjenden në faqen e tyre të internetit.

Për qytetarët e paraqitur do të organizohet trajnim special, ndërsa më pas do të sistemohen nëpër vendvotime si vëzhgues.

Nga MOST njoftojnë se vëzhgues në misionin e Asociacionit qytetar mund të jetë çdo qytetar me të drejtë vote, i cili është i gatshëm në mënyrë jopartiake, të paanshme dhe objektive ta vëzhgojë procesin dhe të njoftojë për konstatimet. Gjatë përzgjedhjes së vëzhguesve përparësi do të kenë ata të cilët tashmë janë angazhuar si vëzhgues të MOST-it në proceset e mëparshme zgjedhore.

Asociacioni Qytetar MOST projektin e zbaton në pajtim me standardet e pranuara për vëzhgim shtëpiak në zgjedhje.

Projekti “Vëzhgimi vendor i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 2016” është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, USAID përmes Institutit Kombëtar për Demokraci, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe Fondi Kombëtar për Demokraci.

Nga MOST theksojnë se parregullsitë do të mund të paraqiten në linjën e telefonit falas 080 080 080.