Asociacioni qytetar “MOST” sot i ka prezantuar rezultatet më të reja të vëzhgimit të zbatuar para shpalljes së zgjedhjeve, sipas të cilave në periudhën prej 17 shkurtit deri më 3 prill janë evidentuar më shumë raste të kundërvajtjeve.

Sipas “MOST”-it, në këtë periudhë janë vërejtur raste të përgatitjes së listave të votuesve potencialë, raste kur funksionarë shtetërorë promovojnë programe partiake për zgjedhjet dhe raste kur përdoren automjetet zyrtare për qëllime partiake.

“Nga 970 raporte të marra nga 80 vëzhgues në të gjitha komunat, për periudhën nga mbajtja e konferencës së parë për shtyp më 17 shkurt deri më 3 prill, mund të vërehet se për periudhën nga 1 muaj e gjysmë, ka më shumë raste të regjistruara të kundërvajtjeve, sesa për periudhën paraprake prej dy muaj e gjysmë, respektivisht nga fillimi i zbatimit të projektit, 1 dhjetor viti 2015 deri në mbajtjen e konferencës së parë për shtyp”, tha në konferencën për shtyp drejtori ekzekutiv i MOST-it, Darko Aleksov.

Ai i ftoi qytetarët që t’i denoncojnë të gjitha presionet, druajtjet ose kërcënimet në linjën telefonike falas të MOST, 080-080-080. Nga “MOST” theksuan se kanë marrë autorizime që ta vëzhgojnë verifikimin në terren të Kodit zgjedhor, por vetëm në zyrat rajonale të KSHZ-së, që sipas tyre, nuk mundëson ekspertizë të plotë në këtë proces.

Lidhur me hyjen e policisë financiare në zyrat e “MOST”-it, Aleksov konfirmoi se të hënën tek ata kanë ardhur inspektorë të cilët kanë kërkuar dokumentacion të caktuar.