Edhe nëse sonte hynë fuqi vendimi për shpërbërjen e Kuvendit dhe rrjedhjen më tej të afateve prej 60 ditëve deri më 5 qershor, afatet për përmbushjen e kushteve janë thuajse të pamundura për të pasur zgjedhje. Kështu vlerësojnë ekspertët juridik. Bekim Kadriu thotë se vetë metodologjia e KSHZ-së ka qenë shumë e diskutueshme për të vërtetuar se cilët votues mund të jenë të dyshimtë apo votues potencial ku po ky institucion duhet të raportojë para kuvendit për kredibilitetin e listës zgjedhore.

“Kuvendi sot duhet të konstatojë në bazë të raportit që e përgatit KSHZ-ja se a ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve apo nuk ka, dhe nëse kuvendi konstaton se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve duhet përsëri të sjellë një vendim me të cilin vendimin paraprak të tij do ta ndryshojë dhe do ta shty në një afat të caktuar ose në një afat të pacaktuar mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. KSHZ-ja për shkak të afatit të shkurtër që e ka pasur ballafaqohet me këto dilema juridike dhe tani ajo reflektohet te vetë pastrimi i listës zgjedhore” , tha eksperti juridik Bekim Kadriu.

Ndërkaq Naser Zyberi e quan të pakuptimtë shkuarjen në zgjedhje më 5 qershor pasi që nuk ka asnjë lëvizje nga ajo që pritej të kishte.

“Në rast se sot shpërbëhet parlamenti unë mendoj se afati deri në mbajtjen e zgjedhjeve është i shkurt për t’u përmbushur të gjitha obligimet të cilat dolën si rezultat i konstatimit për shtyrjen e zgjedhjeve nga 24 prilli më qershor. Nëse na mban kujtesa atëherë dimë që zgjedhjet u shtynë për shkak se lista zgjedhore nuk ishte e pastruar dhe iu dha një afat KSHZ-së që ta bëjë këtë. Mendoj se KSHZ-ja deri në këtë moment jo vetëm që nuk ka arrit që të bëjë pastrimin e listës zgjedhore por ka hapur shumë dilema se si kjo mund të bëhet” , deklaroi Naser Zyberi.

Ja datat dhe afatet që duhet të respektohen nëse vendi shkon në zgjedhje më 5 qershor

• 7 Prill  (60 ditë para zgjedhjeve) – Kuvendi duhet të shpërndahet
• 22 Prill – KSHZ duhet të inspektojë publikisht listën e votuesve
• 6 Maj – KSHZ duhet të publikojë vendvotimet
• 12 Maj  – Duhet të përfundojë inspektimi publik i listës së votuesve
• 13 Maj  – Lista e plotë e deputetëve duhet të publikohet në shtypin ditor
• 16 Maj – Fillon fushata zgjedhore dhe duhet të përfundojë më 4 qershor
• 17 maj – KSHZ-ja do të paraqesë listën zgjedhore e politike
• 21 Maj – KSHZ-ja do të nënshkruajë listën e votuesve, ose lista e votuesve përdoret për votim
• 2 Qershor – KSHZ-ja duhet të dorëzojë materialin zgjedhor për KKZ

• 4 Qershor – KKZ duhet të dorëzojnë materialin zgjedhor të Qendrave të Votimit në të gjithë Republikën e Maqedonisë

• 5 Qershor – Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Nëse kuvendi shpërbëhet sonte, atëherë nuk ka asnjë lloj mundësie për prolongim të zgjedhjeve sepse ky vendim vjen nga kuvendi, ndërkohë që Kuvendi veç më është shpërbërë.