Një helikopter është rrëzuar në Malësi të Madhe. Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 14.00.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Grizhë dhe raportimi të organet e sigurisë është bërë nga banorët e zonës të cilët kanë qenë dëshmitarë të aksidentit. Helikopteri ka pësuar avari dhe është rrëzuar në Liqenin e Shkodrës.

Bëhet me dije se kemi të bëjmë me një helikopter të Forcave të Armatosura. Nuk dihet ende se sa persona udhëtonin në bord. Paraprakisht raportohet se 2 persona kanë vdekur dhe një është plagosur.

Policia po shkon drejt vendngjarjes ndërkohë raportohet se janë nisur edhe grupet e shpëtimit.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj konfirmoi për News 24 se po bëhen kërkime në zonë pasi mund të ketë të tjerë persona që udhëtonin në mjetin fluturues.

“Nuk ka pasur shpërthim në momentet e rrëzimit. Banorët e zonës kanë nxjerrë 1 person të vdekur dhe një të gjallë që u transportua drejt spitalit rajonal. Nuk mund të flasim për numër të saktë, por po punohet për nxjerrjen e të tjerë personave që mund të kenë qenë në bord pasi terreni ishte i vështirë”, tha Marinaj.

bazo-620x330

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Jeronim Bazo ka mbajtur këtë pasdite një konferencë shtypi lidhur me rrëzimin e helikopterit në Malësinë e Madhe.

Fillimisht, Bazo ka sqaruar se, në bordin e helikopterit tip “EC 145” ndodhej një ekuipazh prej 3 vetësh, të përbërë nga kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtari profesionist Gerald Baramuça.

“Kapiteni Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha kanë humbur jetën, ndërsa ushtari Gerald Baramuça po trajtohet në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, ka deklaruar Bazo.

Gjenerali ka bërë me dije se, “Shtabi i Përgjithshëm ka angazhuar të gjitha mjetet në dispozicion për të hetuar rrethanat në të cilat ka ndodhur rrëzimi i helikopterit”.

Gjithashtu, Bazo ka saktësuar se, helikopterët “EC 145” sapo janë marrë nga Forcat e Armatosura shqiptare për të shërbyer si mjete shpëtimi dhe i janë nënshtruar të gjitha kontrolleve të parashikuara.

“Ndërsa itinerari i fluturimit të këtij helikopteri ishte brenda trajektores së miratuar gjatë një fluturimi stërvitjeje rutinë”, ka sqaruar më tej Bazo.

Sa u takon dy pilotëve që humbën jetën, ai ka nënvizuar se, “ata ishin trajnuar brenda dhe jashtë vendit dhe kishin një eksperiencë të kënaqshme”.

“Sipas planit të fluturimit helikopteri EC 145, me numër bordi 637, me 3 ekuipazh në bord, kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha dhe ushtar profesionist Gerald Baramuca, janë nisur nga Farka sot në orën 12:10 në një fluturim stërvitor në përputhje me programin e planifikuar dhe miratuar më parë. Në orën 13:45 ka qenë kontakti i fundit që helikopteri ka pasur me Qendrën e Kontrollit dhe Raportimit në Rinas.
Pas humbjes së kontaktit, është nisur drejt zonës ku u humb kontakti një helikopter kërkim – shpëtimi. Ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Shëndetësisë janë nisur drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës ku ndodhet njëri prej pjesëtarëve të ekuipazhit, ushtar profesionist Gerald Baramuca”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.