Pas alarmit të një ditë më parë për sulme të mundshme terroriste, Ministria e Brendshme thotë se situata është nën kontroll të plotë. Sipas vlerësimeve të reja të bëra nga shërbimet vendore, nuk ka informata të konfirmuara për sulme terroriste. Për kërcënimet që mund të vijnë nga vendet fqinje apo nga rajoni, shërbimet dhe dikasteret kompetente të Shqipërisë dhe Kosovës janë në gatishmëri të plotë për parandalimin e tyre. Ndërsa ALSAT mëson se strukturat policore dhe shërbimet janë në koordinim për sigurinë gjatë festës së Pashkëve, ALSAT mëson se në Kosovë, policia ka gjetur një bunker me armatim. Megjithatë, nuk ka informata zyrtare për vendin, sasinë e armatimit, dhe lidhjen e ndonjë kërcënimi të mundshëm me Maqedoninë.

Megjithatë, ALSAT mëson se vendet fqinje kanë aktivizuar operacione që kanë të bëjnë me terrorizmin, përfshi edhe kundër personave me lidhje me Shtetin Islamik, sikurse prangosja e një shtetasi kosovar mbrëmë. Megjithatë, autoritetet e sigurisë në Maqedoni garantojnë se situata është plotësisht në kontroll dhe se nuk pritet ndonjë akt që mund të cenojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Një ditë më parë, Ministria e Brendshme shtoi masat e sigurisë në të gjitha nivelet, në prag të festës së Pashkëve. Një hap i tillë u mor pas informacioneve operative mbi ndonjë sulm të mundshëm ndaj objekteve fetare.

Policia e Kosovës gjithashtu ashpërsoi masat e sigurisë një ditë më parë, madje Drejtoria e Policisë së Kosovës përmes një urdhri urgjent kërkoi nga policitë rajonale të Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt dhe Prizrenit, shtimin e kontrolleve në çdo rrugë kryesore dhe dytësorë që të çon drejt Maqedonisë. Policët u obliguan gjithashtu që gjatë këtij operacioni gatishmërie të mbajnë jelek anti-plumb.

Ndërkohë edhe Policia e Shqipërisë njoftoi se kanë hartuar një plan të veçantë masash për rritjen e pranisë policore në të gjithë territorin e vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, por dhe të ngjarjeve me karakter terrorist gjatë festës.