Mustafa: Me arrestimin e Haradinajt po nxitet destabiliteti në rajon

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaron se Qeveria konsideron se fletë arrestet serbe për qytetarët e Kosovës janë të paligjshme, të motivuara politikisht dhe me tendenca të qarta për të nxitur tensione e konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon e më gjerë.

“Me të kuptuar lajmin për ndalimin e Haradinajt, të gjitha dikasteret e institucioneve të Republikës së Kosovës janë vënë në veprim në mënyrë që ai të lirohet sa më shpejt, si lider i AAK-së dhe si politikan i rëndësishëm i Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Qeveria, sipas tij, po punon intensivisht që këto akuza tendencioze e të pabaza të Serbisë të refuzohet nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë.

“Ne kemi bërë përpjekje maksimale që Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe të rrisim bashkëpunimin me Europol. Ne shpresojmë se me anëtarësimin tonë në këto institucione, këto fletë arreste të motivuara politikisht do të hiqen”, u shpreh kryeministri.

“Unë shpreh bindjen e plotë se institucionet e Francës do të marrin vendim të shpejtë që Haradinaj të kthehet shpejtë në Kosovës dhe që veprime të tilla të mos ndodhin ndaj qytetarëve të Kosovës”, theksoi më tej ai.

“Haradinaj ka qenë Kryeministër, është kryetar i AAK-së, i një force të rëndësishme politike në vend, është shquar për orientimin e tij pro-evropian prandaj nuk shohim asnjë arsye që ai të mbahet edhe më tutje i arrestuar”, ka përfunduar Mustafa.