Nëse aktet e terrorizmit do i shikojmë me qasje të ndryshme dhe do bëjmë  selektimin e tyre, të gjithë ne, në fakt, do t’ju ndihmojmë keqbërësve që të realizojnë synimet e tyre. Ata, të mos harrojmë, synojnë që përmes dhunës së vetë të inicojnë dhunën e të tjerëve, e që pastaj të thonë: Ja, shikoni, ata janë të këqinjtë, ne jemi të mirë.

Jo rallë kam shkruar për tmerrin e terrorizmit dhe e kam gjykuar atë sepse, duke u mbështetur në parimet fetare islame, jam i bindur që vrasja e njerëzve të pafajshëm është mëkat i padiskutueshëm dhe tërësisht i pa pranueshëm te Zoti.

Edhe pse dikujt ndoshta nuk i ka pëlqyer, vazhdimisht i kam gjykuar sulmet terroriste të cilësdo ngjyrosje, duke i theksuar ato të cilat janë kryer nga grupe dhe organizata që veprimet e veta keqbërëse dëshirojnë t’i fshehin e maskojnë me petkun islam,  kinse me luftën në rrugën e Zotit.

Por, i indinjuar nga masakrat në Stamboll, Pariz, Bruksel e gjetiu në të cilat vdiqën me qindra të pafajshëm, përherë kam qenë i vetëdijshëm se ato sulme janë vetëm pjesa e parë e dramës dhe se në vazhdim do përballemi me “kundërpërgjegje” në të cilat viktimat do jenë muslimanë.

Hakmarja e Kvebekut

Policia provinciale e Quebecut të Kanadasë raportoi   se kanë vdekur gjashtë persona dhe shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë brenda një xhamie gjatë namazit të jacisë në qendrën islamike kulturore të Quebecut, në lagjen Sainte-Foy.

“Filloi”, mendova në vete kur e dëgjova këtë lajm të trishtë. Të vrasësh njerëz në xhami në çastet kur ata i luten Allahut, është kulmi i barbarizmit, është akt shtazarak që  shkakton neveri. Të vrasësh njerëz që luten për mirësi, paqe e dashuri, është tmerr mbi tmerret. Sikundër ishte tmerr sulmi që ndodhi para do kohe në nje faltore jo muslimane në Egjipt, sikundër ishte e tmerrshme vrasja e priftit në Gjermani.

Kujtoj dhe apeloj që çdo njeri qëllimmirë, ne veçanti teologët e krishterë të dënojnë aktin e vrasjes së muslimanëve në xhami dhe të dëshmojnë se janë kundër terrorizmit të të gjitha ngjyrërave, me që ai rrezikon sigurinë e të gjithëve, plumbat dhe bombat nuk bëjnë dallime fetare, kombëtare, racore.

Jam i  befasuar që një sulm i këtillë ndodhi pikërisht në Kanada, në vendin që njihet dhe krenohet  me tolerancën etnike e fetare dhe diversitetin e konsideron si begati të shoqërisë së vet, e befasuar është edhe bota me faktin se ky sulm ndodhi pikërisht në Kanada. Por, jo një herë është thënë se terroristët nuk i zgjedhin caqet, vendet dhe viktimat. Për ata është i rëndësishëm efekti i tmerrit që do e shkaktojnë dhe publiciteti që do e merr akti i tyre.

Nuk kam as më të voglin dyshim se ky akt i vrasjes së besimtarëve muslimanë gjatë faljes së namazit, në tërë qyqarinë e vetë përmbanë edhe elemente të hakmarrjes, pra është një lloj përgjegje ndaj sulmeve terroriste që kohëve të fundit ndodhën nëpër botë nga grupet e ashtuquajtura “islamike”. Sepse, kam thënë shumë herë,në fund, kur do konsumohen mjetet demokratike, dhuna do e prodhojë dhunën dhe viktimat do jenë njerëz të pafajshëm, jo regjisorët e dhunës, jo ata që urdhërojnë e planifikojnë vrasjet dhe kurdisjet e bombave.

Edhe pse i përvëluar në zemër e në shpirt nga ky sulm në Kvebek, mjerisht më duhet të them se ky sulm nuk më befasoi edhe aq shumë, në një farë dore ai ishte i pritshëm për mua. Ishte vetëm çështje kohe kur edhe jomuslimanët do  fillojnë të vrasin muslimanë dhe të rumbullakësojnë mllefin që filluan ta ekspozojnë përmes ndalimit të ngritjes së minareve nëpër Evropë, përmes ndalimit të mbulesës së femrave muslimane…

Dua të them se hakmarja, anipse e pajustifikueshme për shoqëritë demokratike, jeton në ndërdijen e çdo njeriu dhe nuk nevoitet shumë që ajo të shpërthejë e të realizohet me akte sikur ky që ndodhi në Kvebek.

Justin Trudeau

Kryeministri kanadez Justin Trudeau në lidhje me sulmin terrorist në Quebec ka thënë se është tmerruar për lajmin që ka dëgjuar dhe se sulme të këtilla nuk kanë vend në Kanada.”Toleranca fetare është vlera jonë, drejtësia kanadeze do të mbrojë të drejtat e të gjithë kanadezëve, dhe do të bëj çdo përpjekje që autorët e sulmit të kapen dhe të parandalohen akte të tilla”.

Ja, ky është qëndrimi i drejtë ndaj terorizmit, ndaj dhunës dhe ndaj atyre që zhvillojne fobie të ndryshme. Një lider si Trudeau mund të ofrojë shembull dhe qëndrimet e tijë duhet të ndiqen nëse dëshirojmë që bota vërtetë të bëhet një vend në të cilin është kënaqësi të jetohet koha e përcaktuar nga Zoti.

Por, më duhet të konstatoj se sulmi në xhaminë e Kvebekut sikur nuk i iritoi edhe aq shumë të gjithë, sikur nuk ju bëri përshtypje të gjithëve që u gjakos një shtëpi e Zotit dhe vdiqën gjashtë njerëz të pafajshëm. S’dua të besoj se kjo heshtje dhe ky prononcim i pjesërishëm i atyre që me të drejtë shprehnin revolt ndaj akteve teroriste në Evropë, ka të bën me  faktin se në Kanada u vranë “vetëm disa muslimanë”.

Po ashtu, kam përshtypjen se edhe mbulimi medial i këtij masakri sikur kaloi disi blof dhe më shumë se vdekja e besimtarëve që falnin namaz, gazetarëve ju bëri përshtypje informata e pa verifikuar kinse një sulmues gjatë zbrazjes së automatikut  paska bërtitur “Allahu akbar”. Pra, dikush tentoi të na  shet  rrëfimin se një musliman i paska vrarë në xhami muslimanët që ishin duke e madhëruar Allahun. I paska vrarë, demek, në emër të Allahut. Çfarë konstruksioni blasfemik

Merre si t’a marrësh, nëse aktet e terorizmit do i shikojmë me qasje të ndryshme dhe do bëjmë  selektimin e tyre, të gjithë ne, në fakt, do t’ju ndihmojmë keqbërësve që të realizojnë synimet e tyre. Ata, të mos harrojmë, synojnë që përmes dhunës së vetë të inicojnë dhunën e të tjerëve, e që pastaj të thonë: Ja, shikoni, ata janë të këqinjtë, ne jemi të mirë.

Ndërkohë, viktimat e pafajshme do shtohen, do jetë fare pa rëndësi a janë  muslimanë, të krishterë, hebrenjë, turqë, shqiptarë, amerikanë, kanadezë, gjermanë, gra e fëmijë, të rinjë e pleq. Me rëndësi është të vdesin sa më shumë të pafajshëm, të shkaktohet sa më shumë frikë dhe tmerr. Sepse, i tillë është terorizmi, i çdo ngjyrimi, i çdo përcaktimi.