Tetova vazhdon të ketë numër të madh të shfrytëzuesve të lëndëve narkotike gjegjësisht drogës, shkruan gazeta KOHA. Kryesisht dominon mosha rinore, e cila ndonjëherë për kërshëri provon drogën dhe më pas vështirë heq dorë. Janë disa vende të braktisura në këtë qytet ku është “fshehtësi publike”, të cilët përdoren për të konsumuar drogë. Pjesa më e madhe e përdoruesve të drogës në Tetovë shfrytëzojnë objektet e vjetra, të pabanuara dhe shumë pak të frekuentuara nga qytetarët duke krijuar kështu shpesh herë çerdhe të narkomanëve sidomos në hapësirat e qendrës sportive, por nuk mungojnë përdoruesit edhe në qendrat tregtare, bodrume të banesave. Këtë e konfirmojnë edhe nga Policia e Tetovës, e cila nënvizon se gjatë vitit të kaluar ka lëshuar 32 fletëparaqitje për 36 vepra penale ndaj 43 personave.