Nëse në kalendarin tepër festiv të Maqedonisë ndonjë festë do shkurtuar, duhet shtuar një e re, që shënon anëtarësimin e vendit në NATO. Jemi pjesë e një familje të re, rregulla të reja, gjithashtu jemi dhe tek vëllai që do na dërgojë tek motra që do jetë edhe më eksplicite në ekonominë e vendit, në arsim, në mjekësi, në agrokulturë, në trasnport, dhe mbi të gjitha – në kushte dhe mundësi të barabarta për çdo qytetar

Nga Dr. Arben Taravari

Një kapitull i ri është hapur për vendin, martesa me NATO-n. Dasma e shumëpritur po bëhet realitet këto ditë me disa kushte të mira e disa të vështira nga disa prej dasmorëve. Për të vazhduar me të vërtetën e kulluar, rrallë herë i ka qëlluar Maqedonisë të nënshkruaj një dokument më të mirë se ky me NATO-n. Bakllavat e fqinjëve kanë vërshuar për urim drejt Maqedonisë që po kërkon të imponojë tjetër fotografi të vetes së saj.

Tashmë ajo është më shumë evropiane, më shumë atlantike, të dyja shenja të mira për ne që jetojmë në të. Politika e vjetër, gjithë dinastia dhe mbretërit e saj, e kanë pasur një panem et circenses aderimin në këtë aleancë. Për të shmangur vëmendjen nga skandalet politike që shkaktonin, ata çonin sytë e qytetarëve drejt NATO-s, ndërkohë që ne ishim aq larg sa edhe emrin nuk mund t’ia lexonim, vetëm hamendësonim. Falë Zotit që na do, vendi natyrshëm filloi të lundronte drejt brigjeve të paktit të Atlantikut Verior, pavarësisht që anija ishte dhe është e lodhur nga marinarët që kanë tentuar të marrin sa më shumë nga plaçka e saj, e deri tek kapitenë që e kanë braktisur fare.

Po çfarë është hyrja në NATO? Është një hap pozitiv? Sigurisht që po! Është një shkop magjik që sjellë mirëqenie sociale? Sigurisht që jo! NATO është një grup shokësh të mirë, të rëndësishëm, të ndryshëm, por me qëllimin e qartë që: rregullat luhen sipas saj. Kjo është dhe do jetë edhe më shumë, një sfidë e fortë për shtetin e sidomos politikën funksionare, pasi ne nuk jemi mësuar të na diktojnë rregullat e lojës, e sidomos të një loje alla evropiano-amerikane. Ne kemi shekuj që notojmë në pellgjet e baltosura ballkanike, nuk di sa do jemi të gatshëm të durojmë, por do duhet me doemos të durojmë, pasi është ndoshta e vetmja gjë e mirë që na ka ndodhur pas kaq shumë vitesh!

Të gjithë e dimë që NATO është dera e parë e madhe para se të hyjmë, në Bashkimin Evropian. Kujtoj që nga 29 shtete anëtare, plot 21 prej tyre, janë anëtare të Bashkimit Evropian. Nëse na ndrit ylli deri në fund do jemi pjesë e një Familjeje të mirë, të mençur dhe mbi të gjitha tepër fanatike ndaj rregullave të shtëpisë. Po flas për BE-në, kurse detyra për në NATO është shumë e qartë: të mos lejm nam! Mos bëjmë ndonjë çudi tipike tonat, se do na kushtojë e do na damkosë për jetë, e fati i mbrapshtë s’do ketë mëshirë as për nipërit e mbesat tona, pasi për fëmijët as diskutohet që janë prej tash viktima të miopisë tonë!

Çuditë tona janë të atilla sa ndonjë ditë të qetë dhe të çuditshme, pasi në Maqedoni ditët e qeta janë aspak të zakonshme, pra, pra në një nga këto ditët klishe alla qetësia para stuhisë, na bëhet ndonjë rokadë politike e dalim me vendimin që Duam Të Ikim nga NATO! Pasi dihet botërisht që këtu ka një pjesë jo të vogël zemrash që rrahin për Rusinë dhe Stepat e saj. Ndërrimi i kursit politik përveç se do na bënte barsoletë të një Super Ushtrie që ngërthen në vete një tufë shtetesh me rëndësi të madhe, por shpejt do na kthente edhe në problematik për ta!

Ndaj jemi në një orë serioze shumë për secilin nga ne. E di, është terren i panjohur për ne serioziteti politik, që përfshin respekt për detyrën dhe dashuri për vendin, është binom i rrallë në politikën drejtuese, por tashmë nuk ka rrugë tjetër! Ata që deri tash janë mësuar ta trajtojnë pushtetin: topi është i imi, penalltinë e gjuaj vet- të jenë të sigurt që janë futur në një rrugë qorre!

Shumëkush mund të mendojë: e çfarë do zgjidhë politikisht hyrja në NATO?! NATO është ushtri, nuk është gjykatë! Mos ardhtë puna të na mbrojë NATO në formën e saj të parë, por nga ana tjetër faleminderit Zotit që jemi duke shkelur në derën e saj. NATO është një Aleancë që ndërhyn në kohë krizash politike, që mbron lirinë e shteteve (shtetet përbëhen nga popuj), pra që kujdeset që jeta të jetë normale dhe e drejtë në vendet që ka futur në shtëpi. Si një organizatë e mençur që është, si një ushtri e formuar për të mbrojtur paqen dhe sovranitetin e popujve, NATO kujdeset që çdo konflikt fillimisht ta shoshitet në dritën e dialogut, por ama i shkon deri në fund për të mbrojtur Lirinë e anëtarëve të saj, ndaj që këtu jemi futur në një derë të madhe. Nëse në kalendarin tepër festiv të Maqedonisë ndonjë festë do shkurtuar, duhet shtuar një e re, që shënon anëtarësimin e vendit në NATO. Jemi pjesë e një familje të re, rregulla të reja, gjithashtu jemi dhe tek vëllai që do na dërgojë tek motra që do jetë edhe më eksplicite në ekonominë e vendit, në arsim, në mjekësi, në agrokulturë, në trasnport, dhe mbi të gjitha – në kushte dhe mundësi të barabarta për çdo qytetar, dhe qytetarët do kenë të drejtë të jetojnë me çdo shenjë identiteti që mbrohet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, nga NATO-ja, nga BE-ja, kjo e fundit madje investon shumë në të!

Shpresojmë që klasa politike të kuptojë rëndësinë e hapit më te mirë që ndoshta ka bërë deri tani ky shtet!