NATO fton Malin e Zi; nënshkruan Kerry, zemërohet Rusia

NATO ftoi zyrtarisht  Malin e  Zi, të bëhet anëtari i 29 i aleancës, duke nënshkruar këtë të enjte zgjerimin e 7 në historinë e saj, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Rusisë. Vendimi është ende subjekt i miratimit formal nga Senati amerikan dhe parlamentet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “ky ishte vetëm fillimi i një kapitulli të ri të sigurisë” në historinë e ish-republikës jugosllave.

Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç ishte pjesëmarrës edhe në nënshkrimin e protokollit të pranimit të vendit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai tha se vendi i tij, i bombarduar nga avionët luftarakë të aleancës 16 vite më parë, duhet të qëndrojë “krah më krah” me vendet e tjera anëtare të aleancës së udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara.

“Mund të mbështeteni te ne në çdo kohë”, tha Gjukanoviç.

Rusia e ka akuzuar aleancën atlantiko-veriore se po përpiqet të rrethojë atë dhe kombet aleate të Moskës, si Serbia, si dhe është angazhuar se do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare dhe interesat e saj.

Sergei Zheleznyak, një deputet i shquar i Parlamentit rus, tha se vendit të tij do t’i duhet të alternojë marrëdhëniet e saj me Malin e Zi, historikisht aleat i Rusisë, tashmë që vendi ballkanas do t’i bashkohet NATO-s pa zhvilluar më herët një referendum kombëtar.

“Ne duhet të ndryshojmë politikën tonë kundrejt këtij vendi mik”, tha Zheleznyak. “Nëse infrastruktura ushtarake e NATO-s do të vendoset atje, ne do të duhet të përgjigjemi duke kufizuar kontaktet tona në fushat ekonomike por edhe të tjera”. Ndërkohë, zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë se Moska duhet të ndalojë disa importe nga Mali i Zi dhe të vendosë sanksione të tjera tregtare.

Ceremonia e nënshkrimit në selinë e NATO-s, për ftesën për anëtarësim të Malit të Zi, koinçidoi me fillimin e një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës, ndërkohë që edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e nënshkroi dokumentin në emër të Shteteve të Bashkuara.

Që prej krijimit të NATO-s në vitin 1949, si një mburojë e Luftës së Ftohtë të Perëndimit kundrejt Bashkimit Sovjetik, tashmë është zgjeruar nga 12 vende themeluese deri në anëtarin e 29, duke thithur në vetvete edhe shumicën e ish-aleatëve të Kremlinit në ish-bllokun lindor komunist. Të fundit që janë anëtarësuar në NATO kanë qenë Shqipëria dhe Kroacia, në vitin 2009.