NATO, Stoltenberg paralajmëron Trumpin: Nuk ekziston opsioni “ndarazi”

Duke argumentuar se Perëndimi po përballet me sfidën më të madhe të sigurisë ndër breza, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara se nuk mund të ketë një opsion “për të ecur të vetëm”, as për Europën dhe as për Amerikën.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump e përshkroi aleancën ushtarake atlantiko-veriore si një organizëm të vjetruar. Ai sugjeroi se Shtetet e Bashkuara duhet të mendohen dy herë përpara se t’i shkojnë në ndihmë një vendi aleat të NATO-s, në rast konflikti ushtarak, nëse ai vend nuk ka paguar detyrimet ndaj aleancës.

Duke shkruar për gazetën britanike “Observer”, Stoltenberg pranoi se Trump ka të drejtë kur thotë se disa vende anëtare duhet të japin kontribute financiare më të mëdha, pasi aktualisht Shtetet e Bashkuara mbulojnë thuajse 70 për qind të shpenzimeve të NATO-s.

Megjithatë, ai shtoi se udhëheqësit amerikanë kanë pranuar gjithnjë interesin e thellë dhe strategjik për një Europë të qëndrueshme dhe të sigurt.

“Sigurisht që është shumë e thjeshtë t’i marrësh të gjitha liritë, sigurinë dhe perspektivën që kemi si dhuratë. Në këto kohë të paqarta ne kemi nevojë për një udhëheqësi më të fortë amerikane, ndërsa kemi po ashtu nevojë që europianët të përkrahin pjesën e tyre të barrës”, shkruan ish-kryeministri norvegjez. “Por mbi të gjitha, ne duhet të pranojmë vlerat e partneritetit mes Europës dhe Amerikës, pasi kjo mbetet e detyrueshme. Të qenit të ndarë nuk është një opsion as për Europën, as për Shtetet e Bashkuara. Ne përballemi sot me sfidat më të mëdha të sigurisë ndër breza. Të paktën nuk është ky momenti i duhur për të vënë në pikëpyetje vlerat e partneritetit mes Europës dhe SHBA-ve”.

Sulmet e 11 shtatorit në SHBA, – siç u shpreh Stoltenberg, – kanë qenë i vetmi rast që NATO ka ushtruar klauzolën e vetëmbrojtjes, gjë që kërkon nga të gjithë anëtarët t’i vijnë në ndihmë vendit që sulmohet. “Ai rast ka qenë më shumë sesa simbolik. NATO shkoi për të marrë drejtimin e operacioneve në Afganistan, qindra e mijëra ushtarë europianë kanë shërbyer atje që prej asaj kohe. Ndërsa më shumë se 1.000 ushtarakë kanë paguar edhe çmimin më të lartë, jetën e tyre, në operacionet që kanë qenë një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e sulmit ndaj Shteteve të Bashkuara”.