Rebalanci i buxhetit me të cilin qeveria ka ndarë mjete për pagën e trembëdhjetë, të ashtuquajturin K-15, ka ngjallur një sërë reagimesh në opinionion, dhe një revoltë të theksuar sepse është paraparë pagë shtesë vetëm për administratorët të cilët gjatë kohës së pandemisë ose kanë qëndruar në shtëpi ose kanë punuar me gjysëm orari, shkruan Zhurnal.

Pagën e trembëdhjetë nuk do ta marrin punonjësit në arsim, polici dhe ndërmarrjet komunale, që për shumë qytetarë të cilët kanë reaguar në rrjetet sociale bëhet fjalë për një “injeksion parazgjedhor” të pushtetit, dhe pikërisht kjo, ka ngjallur një revoltë edhe te sindikalistët të cilët vendimin e qeverisë e quajnë diskriminues.

E zëshme ka qenë Konfederata e Sindikatave të Lira, sipas të cilës, punonjësit në administratë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, dhe se shteti nuk duhet të jetë për dikë nënë e për dikë tjetër njerkë.

“Në vend kemi 120 mijë punonjës që marrin pagë nga buxheti, ne mesin e të cilëve ka ushtarë, policë, punonjës arsimi dhe nëpunësit civilë, por të gjithë janë nëpunës civilë dhe nuk ka ndonjë dallim klasifikimi sipas veprimtarisë. Nuk do të marrin të gjithë por vetëm 16 -17 mijë nëpunës civilë sepse marrëveshja kolektive që u nënshkrua në vitin 2019 është diskriminuese”, tha Bllagoja Ralpovski, kryetar i KSL-së.

Paralelisht me këtë, ka reaguar edhe sindikata e policisë, e cila së fundmi kërcënoi me një grevë.

Për opozitën, rebalanci i buxhetit, më saktë alokimi I mjeteve financiare për K15 është blerje e votave në formë legale.

“Mënyra si janë selektuar një pjesë e nëpunësve shtetëror për K15 në prag të zgjedhjeve lokale, nuk ka asnjë dyshim se kemi të bëjmë me jë tentativë të radhës të qeverisë për ushtruar trysni dhe blerje të votave në zgjedhjet lokale. Qytetarët të mbërthyer nga pasojat negative të pandemisë kërkojnë zgjidhje nga qeveria, e jo blerje të votave në formë legale”, tha për Zhurnal.mk, Orhan Murtezani, zëdhënës i koalicionit Alenaca dhe Alternativa (ASH-AA)

Kujtojmë se buxheti i rebalancuar, ka paraparë alokimit të rreth 4 milion euro për pagesën e K-15 për punonjësit në ministri, zyra të prokurorisë, zyra e avokatit të shtetit, , komuna, burgje, gjykata dhe institucione tjera publike të themeluara nga qeveria dhe organe të tjera themeluara nga Kuvendi.