Pushteti në Maqedoni edhe më tej angazhohet për pajtim mes deputetëve dhe të gjitha subjekteve politike në vend, me qëllim të bashkimit rreth qëllimeve strategjike – anëtarësimi në BE dhe NATO, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare insiston për amnisti për të gjithë të involvuarit në ngjarjet në Kuvend më 27 prill. Veçmë u paralajmërua formimi i Komisionit të Kuvendit për pajtim.

Iniciativa për formimin e saj erdhi nga tetë deputetët e opozitës, të cilët të premten e kaluar dhanë përkrahje për fillimin e procesit për ndryshime kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi me siguri do ta udhëheq Komisionin për pajtim, por tani për tani pritet qëndrimi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Ky ishte një nga konkludimet e takimit të djeshëm të koordinatorëve të grupeve të deputetëve me kryetarin e Kuvendit Xhaferi, i pari pas votimit për ndryshime kushtetuese të premten.

Kryeministri Zoran Zaev përsëriti se kur bën thirrje për pajtim në bashkim kombëtar në Parlament, në të vërtetë nuk ka për qëllim të përzihet në punën e organeve gjyqësore. Për të, ngjarjet në opozitë janë punë brendapartiake dhe tha se beson në opozitë të fuqishme, në VMRO-DPMNE të fuqishme.

“Kjo është mirë edhe për shtetin, kjo është mirë edhe për LSDM-në, pasi vetëm atëherë shteti do të ketë beneficion”, tha kryeministri, i cili po ashtu shtoi se beson në mandat të plotë katërvjeçar dhe nuk vlerëson se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ai bëri thirrje për orientim shtetëror dhe përgjegjësi shtetërore, ndërsa partitë të lihen në vend të dytë.

“Unë do të vazhdoj të jem i kujdesshëm në tërë këtë proces, për shkak se besoj se mundemi të gjithë së bashku ta shtyjmë këtë punë deri në fund në një mënyrë dinjitoze, ashtu si i ngjan një vendi, me përcaktim domimant për anëtarësim në NATO dhe BE, me përcaktim dominant që të sigurohet ardhmëri për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Zaev.

Në Kuvend pritet edhe informata nëse tetë deputetët nga opozita të cilët votuan “për” do të formojnë grup të deputetëve, respektivisht çfarë do të jetë veprimi i tyre i mëtejshëm në Parlament. Sipas burimeve të Kuvendit, tetë deputetët kanë takim, pas të cilit do të kumtohet si do të funksionojnë në Kuvend. Tani për tani deri te Kabineti i kryetarit të Kuvendit nuk ka arritur njoftim për grup të ri të deputetëve, njofton MIA.

VMRO-DPMNE, megjithatë mbetet në qëndrimin për amnisti për të gjithë të involvuarit në ngjarjet e 27 prillit vitin e kaluar.

VMRO-DPMNE-ja, siç paralajmëroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski, nuk do të merr pjesë në komisione të cilat duhet të sigurojnë liri selektive vetëm për ata të cilët kanë marrë pjesë në votim për nevojat për ndryshime kushtetuese, të dala nga marrëveshja me Greqinë.

Tekstin e këtij propozimi VMRO-DPMNE-ja do ta parashtrojë në shqyrtim deri te të gjitha partitë parlamentare.

Për Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët, duhet të ekzistojë pajtim, të hapet dialog mes maqedonasve dhe shqiptarëve, por për të, formimi i komisioneve, angazhimi i tërë Kuvendit për shkak të disave të cilët kanë gabuar, është i palejuar.