Shkruan Bexhet Musliu

Termi “Falje” është bërë top temë në opinionin maqedonas, pasi kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se do të ketë pajtim kombëtar, gjegjësisht falje për “terroristët” që dhunuan organin më të lartë shtetëror, Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill.

Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, të cilët votuan për nismën për ndryshimet Kushtetutës së Maqedonisë më 19 tetor, thonë se janë në pritje të formimit të një organi për pajtim kombëtar, në përputhje të kërkesës së tyre për këtë çështje.

Opinioni shqiptar nuk e ka pritur mirë ofertën e kryeministrit Zaev për falje të dhunuesve të 27 prillit, ku gjithë e dimë se atë natë tendenca ishte që të poshtërohen shqiptarët në përgjithësi, ku viktima më e madhe ishte kreu i ASH-së, Ziadin Sela.

Kryeministri Zoran Zaev para se të vij në pushtet premtonte sundimin e së drejtës gjatë qeverisjes së tij, por kjo aspak nuk asocon në një gjë të tillë. “Pajtimin kombëtar” që e proklamon kryeministri Zaev nuk i përfshin shqiptarët, gjegjësisht shqiptarët që po kalben nëpër burgjet e Maqedonisë në rastet që iu janë montuar nga Qeveritë e kaluara. Rasti që më së shumti është përflitur në opinion kohëve të fundit është Rasti “Alfa”, ku tanimë është sekret publik që personat që po vuajnë dënimin me burg janë apsolutisht të pafajshëm dhe të njejtit kërkojnë që rasti i tyre të rigjykohet dhe drejtësia të triumfon. Por autoritet tani për tani nuk po i dëgjojnë kërkesat e tyre, por as kryeministri Zoran Zaev i cili për interesa të tija personale që të shpëton karrierën e tijë politike po ofron “Pajtimin kombëtar” për 27 prillin pa pyetur askend, as viktimin më të madhe të asaj nate Ziadin Selën.

Me këtë Zaev tregon se është i gatshëm t’i falë kriminelët që para syve të opinionit u panë se si kanë për qëllim të eliminojnë deputet, por që nuk është i gatshëm ti rikthej në rygjikim rastet e montuara, përfshirë këtu edhe rastin “Alfa”.

Ndërkohë që të gjitha partitë politike në pushtet kanë përjashtuar mundësinë që pajtimi kombëtar të përfshijë një Ligj për amnisti, por njohësit e çështjeve politike thonë se pas deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, dhënë menjëherë pas votimit për nismën për ndryshimet kushtetuese të premten e kaluar, janë dhënë sinjale të qarta se oferta për pajtim kombëtar, e cila është vendos dhe si kërkesë e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së që votuan për nismën e ndryshimeve kushtetuese, do të thotë formimi i një trupi parlamentar që do të duhet të përpilojë një akt juridik, ku do të përfshihen ata që ishin pjesë e ngjarje të dhunshme të 27 prillit, gjegjësisht qëllimi i vetëm është të lirohen nga gjitha akuzat protagonistët e kësaj nate të përgjakshme.

Por kjo është derjtësia në vendin tonë. Xhorxh Orwel në veprën e tij “Ferma e Kafshëve” thotë se të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat. Edhe oferta e kryeministrit Zaev për “Pajtim Kombëtar” mund të thuhet se gjitha komunitetet janë të barabarta, por disa komunitete janë më të barabarta se të tjerat. Sintagma “jetë për të gjithë” dalëngadalë po shuhet, dhe po shndërrohet “jetë vetëm për disa”.