Prindërit dhe arsimtarët e 222 nxënësve të 14 paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në Shkollën fillore “Goce Dellçev” të Manastirit dhe të 135 filloristëve të 12 paraleleve të shkollës fillore “Kërste Misirkov” të fshatit Këshavë, me padurim presin realizimin e premtimeve të përbërjes së re qeveritare për demokraci dhe barazi të mirëfilltë për të gjithë qytetarët e Republikës dhe barazisë së plotë të pjesëtarëve të etniteteve jomaqedonase, respektivisht barazisë së plotë të shqiptarëve, të paktën atje ku e garanton edhe Kushtetuta, edhe ligjet, siç është mësimi shqip në të gjitha nivelet e arsimit, shkruan gazeta KOHA. Pritjet, shpresat dhe kërkesat e këtilla të shqiptarëve të Manastirit, u intensifikuan në periudhën gjatë krijimit të koalicionit qeveritar, kur nga të gjitha anët vinin premtime për demokraci dhe shoqëri të hapur, në të cilën të gjithë qytetarët do të ndjehen të barabartë, të padiskriminuar, siç ishin këto dhjetë, posaçërisht katër vitet e fundit, kur shqiptarët e Manastirit ishin skajshmërisht të diskriminuar, jo vetëm në sferën e arsimit, por edhe në të gjitha sferat e jetës. Ata sikur nuk ekzistonin as për pushtetin qendror, edhe më pak për atë lokal. Varësisht nga disponimi i ministres, por edhe më shumë nga autonomia e vendimmarrjeve të përfaqësuesve shqiptarë në këtë dikaster, do të varet edhe zgjidhja e problemeve të shumta në arsimin shqip, të grumbulluara mbi shatë dekada.

“Është kohë e vërtetë të bëhen kthesë në rregullimin e marrëdhënieve ndëretnike e ndërnjerëzore, të respektohen ligjet pët arsimin fillor dhe atë të mesëm dhe aplikimin e tyre në praktikë”, thotë bashkëbiseduesi ynë, arsimtari i matematikës Izet Jusufi, i cili vite me radhë punon nën kushtëzime dhe kërcënime vetëm se reagon pak më ashpër ndaj diskriminimit të nxënësve shqiptarë në Shkollën fillore “Goce Dellçev” të Manastirit. Sipas po të këtij bashkëbiseduesi, shumë prindër shqiptarë, pas ngjarjeve të fundit kur në protestat shqiptarëve u ofrohet vdekja, drejtoresha po e kësaj shkolle është vërejtur me pankartë, në të cilën ka shkruar tekstin “Smrt za shiptarite”. “Drejtorët, por edhe arsimtarë të tjerë që kanë dalur në protesta me këto kërcënime ndaj shqiptarëve, nuk e kanë vendin as në oborrin e shkollave”, thotë Izeti. Doajeni i arsimit shqip në Manastir, Ramiz Arsllani, i cili gjatë karrierës së tij të kaluar në arsim jo rrallë është ballafaquar me problemet e arsimit shqip nëpër shkollat maqedonase me paralele edhe në gjuhën shqipe, të drejtuara nga drejtues maqedonas, shprehet se “arsimi shqip, sidomos atje ku shqiptarët kanë qenë dhe janë me pakicë të theksuar, vazhdimisht ka qenë i diskriminuar, jo nga ligjet, por nga drejtorët e shkollave. Ne shqiptarët asgjë nuk kërojmë më shumë se ç’na jep ligi, kërkojmë vetëm aplikimin e ligjeve në praktikë. Do të mjaftonte që të lulëzonte arsimi shqip. Është vështirë të besohet se pas shtatë dekadave, maqedonasit do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj arsimit dhe gjuhës shqipe”, thotë Ramizi, për të shtuar se “është kohë e vërtetë që më në fund, për hir të mbarëvajtjes së punëve, nëpër shkollat e përziera, siç janë dy shkollat fillore në Komunën e Manastirit, të ketë edhe drejtorë nga radhët e shqiptarëve”, përfundon Ramizi, i cili shpreson se ka ardhur koha kur arsimi shqip do të trajtohet ashtu si ai maqedonisht. (koha.mk)