Edhe pse situata pandemike në Kosovë nxënësve ua pamundësoi mësimin e rregullt në institucionet arsimore, testi i arritshmërisë për klasat e nënta dhe ai i maturës do të zhvillohen nëpër shkolla, por nuk do ta kenë volumin e pyetjeve të viteve paraprake.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është vendosur që në teste të mos përfshihen pyetjet nga materiali që është zhvilluar në tre muajt e fundit.

Sipas tij, përgatitjet që po bëhen nëpër shkolla do t’i ndihmojnë nxënësit që t’i rifreskojnë njohuritë e tyre.

“Edhe pse angazhimi i nxënësve në mësimin online ka mundur të jetë diç më i vogël sesa gjatë mësimit të rregullt, ata nuk kanë qenë plotësisht të shkëputur nga shkolla gjatë tre muajve të fundit, përveç ndoshta një numri të vogël që nuk kanë marrë pjesë në mësimin online për arsye të ndryshme. Sidoqoftë, është vendosur që në teste të mos përfshihen pyetjet nga materiali që është zhvilluar në tre muajt e fundit, gjë që vendosë një farë barazie në mes të nxënësve, edhe pse mund të jetë pak demotivuese për ata që kanë qenë të angazhuar gjatë mësimit online”, ka thënë Pupovci, duke shtuar se po ashtu, se përgatitjet që po bëhen nëpër shkolla do t’i ndihmojnë nxënësit që t’i rifreskojnë njohuritë e tyre dhe të shtojnë vetëbesimin që është me rëndësi për sukses në test.

Siç tha ai, ekzistojnë të gjitha parakushtet që testi i arritshmërisë dhe provimi i maturës të përmbyllen me sukses dhe në dobi të nxënësve.

“Kjo duke ua mundësuar atyre që të regjistrohen në shkollat e mesme dhe fakultete për të cilat janë të përgatitur. Vetëm se duhet pasur parasysh që të minimizohen mundësitë për mashtrim dhe kopjim, sepse kështu i humb kuptimi i testit, por edhe demotivohen ata nxënës të cilët i marrin me seriozitet obligimet e veta”, ka thënë ndër të tjera, Dukagjin Pupovci.

Ndryshe, testi i arritshmërisë për klasat e nënta do të mbahet më 23 qershor, ndërsa testi i maturës më 4 korrik, ndërsa është kërkuar të respektohet distanca sociale sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK).