Në Universitetin e Tetovës, sot u bë hapja solemne e aktiviteti ,,Java e veçantë studimore”. Ky aktivitet realizohet nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Shoqatën ,,Arsimi” nga Zvicra.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se, Universiteti ynë mbetet i përkushtuar në realizimin e projekteve të ndryshme me karakter mësimor-shkencor. ,,Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Universitetit të Tetovës të Ju përshëndes dhe uroj mirëseardhje në fillimin e punimeve të aktivitetit ,,Java e veçantë studimore” që organizohet nga Universiteti ynë, përkatësisht nga Fakulteti Filozofik dhe Shoqata ,,Arsimi” nga Zvicra. Universiteti i Tetovës mbetet i angazhuar në realizimin e nismave dhe projekteve me interes mësimor dhe shkencor, përfshirë këtu edhe këtë projekt me rëndësi të veçantë për studentët dhe pedagogët, për të cilin besojmë se do të shërbejë në afirmimin e punës së përditshme dhe të misionit të mësimdhënësve tanë, aq më tepër kur realizimi i tij përkon edhe përvjetorin e Ditës së Mësuesit. Në epokën tonë, shkenca ka bërë detyrën e saj, ajo ka shënuar suksese të paimagjinueshme, duke ndikuar fuqishëm në zhvillimet shoqërore, si në përparimin ekonomik, kulturor dhe teknik e teknologjik. Mirëpo, arsimimi dhe kërkimi shkencor si vlera universale për njerëzimin,  fatkeqësisht nuk kanë ecur me ritme të njëjta dhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sikurse në vendet e zhvilluara perëndimore”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai, më tej vlerësoi se sistemi arsimor në këto hapësira, edhe më tej ka nevojë për përparimin dhe avancimin e procesit edukativ në të gjitha nivelet e shkollimit, duke filluar nga ai shkollor e deri tek ai universitar. ,,Java e veçantë studimore”, punimet e së cilës do të realizohen në ambientet e Universitetit tonë, në programin e saj do t’i trajtojë pikërisht këto çështje të rëndësishme,  do të  diskutojë për përvojat bashkëkohore të mësimdhënies, për  idetë  dhe metodat më të avancuara të arsimit dhe edukimit. Duke pasur parasysh se shkëmbimi i eksperiencave dhe të arriturave shkencore është një ndër metodat më të mira për avancimin e procesit arsimor, ne ju qasëm këtij projekti dhe shpresojmë t’i përmbushë objektivat e tij. Ne jemi të bindur se në këtë mënyrë gjeneratat e reja do të aftësohen, respektivisht do të përgatiten për aplikimin e diturive të tyre në sferat  përkatëse,  në nivel me të gjitha standardet ndërkombëtare”, shtoi mes tjerash Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadbi Osmani, u shpreh se e veçanta e kësaj jave është se studentët në këtë javë do të punojnë ndryshe nga ditët tjera dhe aktivitetet e zakonshme. ,,Qëllimet e kësaj jave janë të veçanta për këto arsye: studentët të zgjerojnë njohuritë e tyre teorike dhe të pasurojnë praktikën mësimore; të jenë në gjendje që në mënyrë kritike të merren me vetveten (çka mund të bëjë unë për vete dhe për të tjerët); të rishikojnë normat dhe vlerat, qëndrimet dhe botëkuptimet personale; të kuptojnë profesionin e mësuesit-edukatorit: rishikimi i qëndrimit pedagogjik dhe kuptimit profesional; të analizojnë dhe të konstatojnë rreth kompetencave të arritura gjatë studimeve; formimi dhe zhvillimi i vizionit për shkollën; cili është lajtmotivi dhe kartë-identifikimi i Mësuesit-Edukatorit; si dhe botimi i librit ,,Mësuesi i ri i shekullit 21”, u shpreh Prof. Dr. Fatbi Osmani.

Kryetari i Shoqatës ,,Arsimi” nga Zvicra, profesori Mahir Mustafa, para të pranishmëve shpalosi programin që do realizohet në kuadër të aktivitetit “Java e veçantë studimore”. Ai tha se, në kuadër të kësaj jave studentët do të kenë mundësi për të bërë hulumtime, studime dhe aktivitete të ndryshme dhe të gjitha rezultatet e arritura do të prezantohen në fund të javës, ku sipas tij në prezantimin e rezultateve të arritura nga ,,Java e veçantë studimore” pritet të marrin pjesë edhe tre ministrat e Arsimit, ai i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.

,,Java e veçantë studimore” do të përmbyllet me një debat shkencor, me temë: ,,Shkolla dhe arsimi në shekullin 21”, ku pritet të diskutojnë emra eminentë të kësaj fushe, në mesin e të cilëve edhe tre ministrat e Arsimit dhe Shkencës.