Një grua e moshës 80-të vjeçare e humbi jetën në zjarrin që ndodh në Zhillcë të Tetovës. Zjarri ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit.

“Në orën 07:10 në SPB Tetovë është paraqitur zjarr i cili ka ndodhur në një objekt ndihmës pranë shtëpisë në fshatin Zhillcë të Tetovës, në të cilën ka qenë dhe ka vdekur 80-të vjeçarja R.Gj. nga ky fshat. Zjarrin e ka lajmëruar djali i saj 44-të vjeçar , pas së cilës tërësisht është shuar nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve”, informon Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.

Komandanti I NJTZ-së së Tetovës Uka Aliti informon se në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë tre automjete me shtatë zjarrfikës.

“Pas arritjes dhe fillimit me shuarjen e zjarrit na ishte thënë se brenda është një grua. Ne u futëm në objekt dhe e gjetëm gruan e cila për fat të keq tashmë kishte vdekur. Vërejtëm zjarr në dhomën ku ka qëndruar dhe në konstruksionin e kulmit. Zjarri është lokalizuar për njëzet minuta”, deklaroi Aliti.

Në vijim është mbikëqyrja që e udhëheq Prokurori Publik, ndërsa në të cilin merr pjesë edhe ekipi i SPB-së Tetovë.