Negociatat për Qeverinë e re, “top sekret”

Në ditën e dytë pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë së re, nga partia e Gruevskit nuk bëjnë me dije nëse kanë filluar zyrtarisht negociatat dhe takimet me ndonjërën prej partive parlamentare. Përgjigja e tyre për këtë çështje, ishte e shkurtër.

Për këtë gjë do të informoheni në vazhdimësi – deklaroi Hristijan Dellev, VMRO-DPMNE.

Gjatë ditës, kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, në selinë e tij, ka zhvilluar takim me partitë më të vogla të koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”. Nga partia e Ahmetit thanë se akoma po analizojnë opsionet e mundshme dhe nuk kanë pasur takim me mandatarin dhe me asnjërën nga partitë politike maqedonase. Ndërkohë ditë më parë nuk përjashtuan mundësinë e qëndrimit në opozitë ose formimi i një Qeverie të zgjeruar.

BDI ende bën analizat për opsionet e mundshme. Deri tani nuk kemi pasur takime me asnjërën nga partitë politike maqedonase –thanë nga BDI.

Ish zv/kryeministri Musa Xhaferri në një intervistë për gazetën “Fokus” ka thënë se 20 ditshi i negociatave të mandatarit Gruevki, mund të jetë fazë e re e krizës politike kurse ka shprehur dyshime edhe rreth kushtetueshmërisë për marrjen e mandatit nga VMRO-DPMNE të cilën sipas tij duhet ta shqyrtojnë juristët. Një qëndrim të ndryshëm nga ai i një dite më parë, kanë dhënë nga Besa. Edhe pse paraprakisht kanë mohuar kategorikisht koalicionimin me Gruevskin, qëndrimi i tyre ka ndryshuar duke thënë që të gjitha opsionet do të shqyrtohen.

 Nuk mbyllim dyert. Në momentin kur do të kemi një ofertë konkrete nga ndonjë subject maqedonas për të marrë pjesë në Qeveri, ne do të shkojmë ne Kuvendin qendror të partitë, do ta analizojmë. Nëse e shohim se Lëvizja besa me deputetët e saj dhe pjesëmarrjen në Qeveri do ta ndihmojë këtë interes të cilin e kemi, gjithmonë bazohemi te interesi i përgjithshëm, nëse jemi të bindur se kështu e ndihmojmë më mirë, do të futemi në Qeveri – deklaroi Afrim Gashi, BESA.

Kreu i VMRO-DPMNE-së një ditë më parë mori mandatin për formimin e Qeverisë së re kurse në afat prej 20 ditësh nga marrja e mandatit, është i obliguar që Kuvendit t’i prezantojë një plan për koalicionin qeveritar./Alsat-M