Nesër do të mbahet takimi i ri i liderëve të katër partive më të mëdha politike për të konstatuar gjendjen e përgjithshme në lidhje me atë se a janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 11 dhjetor ose jo.

Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski pritet që të konstatojnë gjendjen e përgjithshme dhe të miratojnë datën e re të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 11 dhjetor.

Jo zyrtarisht, portali TetovaSot kupton se me insistimin e LSDM-së opozitare, data e zgjedhjeve do të jetë 11 dhjetor, ndërsa për vëzhgimin e tyre, ndërkombëtarët kanë premtuar që përmes organizatave ndërkombëtare do të shtojnë numrin e vëzhguesve në njësitë e votimit.

Përndryshe, paraprakisht u caktua dy herë data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë. Të parën herë me 24 prill dhe të dytën me 5 qershor. Këto data u anuluan me kërkesën e LSDM-së dhe arsyetimin e saj për mos plotësimin e kushteve nga Marrëveshja e Përzhinos që zgjedhjet të janë të drejta dhe demokratike.