Në Bruksel gjatë javës së kaluar, delegacionet e të dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur pajtimin që Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave të filloj zbatimin më 1 mars 2016.

Sipas një komunikate për media, thuhet se ministrja për Dialog Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun e Brukselit ka theksuar se kjo është një marrëveshje e re për diplomat, e cila është më e zgjeruar se ajo e vitit 2011, sepse përfshinë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit, prej shkollës fillore deri te arsimi i lartë universitar si dhe nivelet profesionale.

“Me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të njohin reciprokisht këto diploma: diplomat e shkollës fillore, të mesme, shkollimit vokacional, nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës së kualifikimeve evropiane (EQF), diplomat bachelor, master dhe doktoraturat”, thuhet në komunikatë.

Njohja reciproke e diplomave bëhet përmes procesit të certifikimit ndërkombëtar të diplomave nga një palë e tretë dhe në këtë rast këtë certifikim do të bëjë Asociacioni i Universiteteve Evropiane ( European Association of Universities – EAU) dhe pastaj diplomat e certifikuara konsiderohen të njohura nga të dyja shtetet. Për njohjen e diplomave të shkollës fillore, të mesme dhe ato profesionale (që është risi në këtë marrëveshje) do të përzgjidhet një organizatë ndërkombëtare e cila do të bëjë certifikimin ndërkombëtar.

Kandidatët e interesuar për njohjen e diplomave do të aplikojnë pranë zyrave të organizatës SPARK në të dyja shtetet për të paraqitur aplikacionin për njohje e diplomave cila pastaj do ta realizoj procesin e certifikimit ndërkombëtar.
Marrëveshja për diplomat vlen vetëm për diplomat që janë marrë nga universitetet e akredituara në shtetet përkatëse, Kosovë dhe Serbi.

Duke marrë parasysh se kjo Marrëveshje është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Ministrja Edita Tahiri ka thënë se njohja reciproke e diplomave mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka një rëndësi të madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse shumica e tyre kanë studiuar dhe diplomuar në Kosovë dhe u duhet kjo njohjen e diplomave, në mënyrë që të kthehen në vendlindje për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit shqiptarëve etnik atje, duke u angazhuar në jetën institucionale dhe sidomos në fushën arsimore për të përgatitur gjeneratat e reja. Ajo ka inkurajuar kuadrot universitare që të kthehen në Luginën e Preshevës, sepse brezi i shkolluar ka obligim t’i shërbej kombit për të zhvilluar dhe forcuar shqiptarët. Kuadrot e shkolluara duke u kthyer në vendlindje japin ndihmën më të mirë për zhvillimin dhe emancipimin politik, shoqëror dhe ekonomik të një kombi dhe kjo është mënyra e duhur për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Politikat diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve etnik në Luginën e Preshevës luftohen më së miri përmes shkollimit dhe shërbimit në interes të shqiptarëve.(kosovapress)