Opinion nga Xhavide Zymberi-Ebibi

Idetë e mëdha lindin nga njerëz të mëdhenj. Ato janë forca të paprekshme, por e kanë fuqinë më të madhe se truri i njeriut, i cili u dhuron jetë. Ato e kanë fuqinë të jetojnë edhe mëtej, edhe pasi truri që i krijoi ato të shndërrohet në pluhur.

Pas konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni dhe çarmatimit të UÇK-së, gjeneral Gëzim Ostreni si një vizionar i madh dhe strateg i dëshmuar, inicoi themelimin e një Këshilli Koordinues në mes të gjitha partive politike shqiptare dhe ish UÇK-së. Ai ishte i mendimit se kjo ishte forma e vetme dhe e domosdoshme për avansimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjes së dinjitetit kombëtarë dhe vënies në jetë të amanetit të të rënëve në këtë konflikt.
Ai besonte se çdo formë tjetër do të shënonte kthim mbrapa dhe defaktorizim të shqiptarëve si popull shtetëformues në R. e Maqedonisë.
Edhe përkundër përpjekjeve për unifikim të faktorit shqiptarë, kjo nuk ndodhi.

Si rrjedhojë, skenës politike shqiptare iu shtua Bashkimi Demokratik për Integrim. Parti kjo e cila në emërtimin e saj përsëri përmbante fjalën ”bashkim”.
Duket qartë që Gjeneral Ostreni si ithtarë i idesë për unifikim të faktorit shqiptar, insistoi që kjo ide të reflektohet edhe nëpërmjet subjektit të sapoformuar. Në këtë mënyrë ai donte të përçonte porosinë se idetë e mëdha mund të jetësohen vetëm nëpërmjet bashkimit dhe assesi nëpërmjet përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes.

BDI në vitet e para të funksionimit të saj shënoi rezultatet e para nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Rezultate këto të pamjaftueshme për barazinë e plotë të shqiptarëve me maqedonasit, por shpresëdhënëse për qytetarët dhe gjeneratat e reja.
Por, me kalimin e kohës, gjatë një periudhe të gjatë në qeveri, BDI jo vetëm që devijoi nga përcaktimet programore për avansimin e të drejtave të shqiptarëve dhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ajo mundësoi edhe humbjen e shpresës dhe dinjitetit kombëtarë. Si rezultat, një numër i madh i të rinjve shqiptarë u larguan dhe vazhdojnë të largohen, duke mos parë një perspektivë të ndritshme në një të ardhme të afërme.

Gjeneral Gëzim Ostreni nuk mundi të qëndronte indiferent dhe të vëzhgonte këtë gjendje të mjerueshme të shqiptarëve, por si një strateg i cili gjithmonë ka ditur të reflektojë në momente historike për shqiptarët, riaktivizon idenë për unifikim të faktorit politik shqiptarë.
Kësaj radhe Gjeneral Ostreni inicio dhe themeloi subjektin më të ri në skenën politike ”UNITETI”, i cili synim parësorë do të ketë unifikimin e faktorit politik shqiptarë dhe me këtë edhe kthimin e shpresës dhe dinjitetit kombëtarë.
Pavarësisht se shumë njerëz e pamë me skepticizëm bile edhe nënvlerësuan rolin e Unitetit, kjo e fundit, për një kohë relativisht të shkurtër arriti të profilizohet dhe strukturohet deri në organin më të lartë partiak, siç është Kongresi i Partisë.

Liderët e vërtetë nuk merren me fjalë të mëdha, ata bëjnë vepra të mëdha.
Derisa partitë tjera merreshin me akuza dhe kundërakuza ndaj njëra-tjetrës, Uniteti në vazhdimësi ka bërë përpjekje që këto sulme ndaj njëra tjetrës të eliminoheshin dhe të krijoheshin ura lidhëse ndërmjet të gjitha partive politike shqiptare opozitare.
Gjeneral Ostreni edhe pse në moshë të shtyrë, përpiloi programën zgjedhore dhe ua prezantoi të gjitha partive politike opozitare shqiptare me qëllim harmonizimin e platformave zgjedhore dhe pjesëmarrjes së përbashkët në zgjedhjet e 11 Dhjetorit.
Si rezultat u formua Aleanca për Shqiptarët, e cila edhe pse nuk fitoi zgjedhjet, e njëjta, me 3 mandate deputetësh është fituese morale e këtyre zgjedhjeve.

Udhëheqësit kompetent nuk i nevojitet asnjë titull që ta fitojë respektin e ithtarëve. Njeriu i cili çon shumë pluhur rreth titullit të vet, zakonisht ka pak ç’të shprehë.
Modestia dhe mungesa e fodullekut tek Gjeneral Gëzim Ostreni, por shumë prezentë pothuajse te të gjithë liderët e tjerë partiak, ka bërë që Uniteti si parti politike shpeshherë të paragjykohet dhe etiketohet nga qytetarë dhe struktura të ndryshme partiake.
Por, kur një ide është fisnike, e sinqertë dhe serioze, ajo fiton energjinë, orientimin dhe fuqinë vetanake, nëpërmjet të cilave do të mënjanën çdo pengesë që do t’i kundërvihet.

Disa përfaqësues partiak të frikësuar nga humbja e pushtetit, partitë opozitare ku bënë pjesë edhe Uniteti, i trajtonin si iniciativa qytetare, duke shpresuar që në këtë mënyrë ato të mbeteshin të tilla.
Por jo, ata gënjyen veten, jo edhe qytetarët.
Sot, UNITETI, nga një iniciativë qytetare u shndërrua në faktor kyç në përpilimin e një platforme politike të përbashkët për shqiptarët, të nënshkruar nga të gjitha partitë politike shqiptare.
Ndryshe, cili do të ishte roli i një lideri të suksesshëm?
Ai duhet ta kuptojë dhe zbatojë principin e orvatjeve të bashkuara dhe të jetë në gjendje t’i sjellë ithtarët e vet që ta bëjnë po këtë gjë.

Lider lind, lider nuk bëhesh.
Gjeneral Ostreni edhe në këtë moshë të shtyrë, edhe njëherë dëshmoi se kur janë në pyetje interest e shqiptarëve është në gjendje të sakrifikojë edhe shëndetin për avansimin e të njëjtave, pa patur nevojë në stërzmadhimin e rolit të tij si lider.

Vizionarët e mëdhenj nuk parashohin të ardhmen nëpër vite, por nëpër dekada e shekuj.
Pavarësisht realizimit ose mosrealizimit të kësaj platforme të përbashkët për shqiptarët, ideja se vetëm nëpërmjet unifikimit të fuqive dhe diversiteteve mund të realizohen vepra të mëdha, do të rrojë prore.