Nga dita e nesërme 1 shtator hyn në fuqi orari i ri i punës i administrates shtetërore gjegjësisht Qeverisë, ministrive dhe institucioneve tjera. Sipas vendimit të ri për rregullimin e orarit të punës, çdo i punësuar ka të drejtë të mbërrijë në punë midis orës 7:30 deri 8:30, ndërsa mund të dal nga puna nga ora 15:30 deri 16:30. Administratorët do të jenë të obliguar që të plotësojnë 8 orë punë. Çdo institucion duhet të sigurojë sistem për evidentimin e orarit të punës dhe kontrollit të hyrje – daljeve të të punësuarve.

Qytetarët prej nesër pas orës 16 do të mund të nxjerrin, certifikatën e lindjes, kurorës, të kryejnë ndonjë punë në DAP ose doganë. Por, nuk do të mund të marrin fletëpronësi nga Kadastra. Ky institucion nuk është në listën e shërbimeve publike që nga një shtatori do të punojnë në dy ndërrime. Kjo masë hyn në fuqi që nesër.

Ndërrim të dytë do të ketë në: DAP, Doganë, Sektorin e Punëve drejtuese dhe mbikëqyrëse në MPB, në Drejtorinë e ofiqerisë, si dhe në departamentet e mbrojtjes së rajoneve me qytetet dhe komunat në Ministrinë e mbrojtjes. Sportelet në këto institucione për qytetarët do të jen të hapura nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në orën 21:30 në mbrëmje.

Institucione që do të punojnë me dy ndërrime

Drejtoria e të Ardhurave Publike

Drejtoria e Doganave

Drejtoria e Ofiqerisë

Departamentet rajonale për punë drejtuese dhe mbikëqyrëse të MPB-së

Departamente për mbrojtje të rajonit me qytetet dhe komunat .