Ekonomia e Eurozonës dhe ajo e Bashkimit Europian është ngadalësuar në tremujorin e fundit, duke rënë përkatësisht me 0.6 dhe 0.4% pas rimëkëmbjes së fortë në të tretin, sipas Eurostat, i cili ka publikuar të dhënat paraprake për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), shkruan Monitor, transmeton Zhurnal.mk

Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, Eurozona dhe BE kanë shënuar tkurrje prej 5% dhe 4.8%. Ngadalësimi reflekton përkeqësimin e situatës me pandeminë dhe rikthimin e kufizimeve në shumë vende të Europës. Si rrjedhojë e pandemisë, Eurozona dhe BE vlerësohen të kenë rënë me 6.8 dhe 6.4% në 2020-n, në raport me vitin e mëparshëm.

Sipas Eurostat, në tremujorin e katërt të vitit 2020, PBB-ja e rregulluar sezonalisht u ul me 0.6% në zonën e euros dhe me 0.4% në BE, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Rënia erdhi pas një rimëkëmbjeje të fortë në tremujorin e tretë të vitit 2020 (+ 12,4% në zonën e euros dhe + 11,5% në BE) dhe pas tkurrjes së fortë që nga fillimi i serive kohore në 1995 që u konstatua në tremujorin e dytë të vitit 2020 (-11.7% zona e euros dhe -11.4% në BE).

Sipas një vlerësimi të parë të rritjes vjetore për vitin 2020, bazuar në të dhënat tremujore të rregulluara sezonale dhe kalendarike, PBB ra me 6.8% në zonën e euros dhe 6.4% në BE.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, PBB-ja e rregulluar sezonalisht u ul me 5.0% në zonën e euros dhe me 4.8% në BE në tremujorin e katërt të vitit 2020, pas -4.3% dhe -4.2% përkatësisht në tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e fundit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tkurrjen më të fortë e shënoi Spanja (-9.1), Austria (-7.8%), Italia (-6.6%), Portugalia (-5.9%). Më pak pandemia ka goditur ekonomitë e vendeve nordike, Norvegjinë (-1.1%), Finlandën (-2%), Suedinë (-2.6%).

Numri i personave të punësuar u rrit me 0.3% në zonën e euros në BE në tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e tretë të vitit 2020, punësimi ishte rritur me 1.0% në zonën e euros dhe me 0.9% në BE.