VMRO-DPMNE assesi nuk bindet të pranojnë që regjistrimi të realizohet këtë vit. Lideri Hristijan Mickoski bëri me dije se tashmë këtë fundjavë do të nisin me iniciativë të re për mbledhjen e nënshkrimeve, e që kanë për qëllim anulimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë, që duhet të ndodh në prill të këtij viti. Mickoski u bënë thirrje të gjitha partive politike që ta përkrahin iniciativën e tyre.

Hrisitijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së

“Sa i përket Iniciativa për anulimin e ligjit për regjistrim, do të kemi aktivitete, duke filluar këtë fundjavë, por opinion do të jetë i informuar me kohë përmes një preskonference. Ne do të fillojmë, do të luftojmë, do ti përdorim të gjitha mjetet demokratike që i kemi në dispozicion. I bëjë thirrje të gjithë partive politike, pa marrë parasysh në pushtet ose opozitë t’i japin mbështetje kësaj iniciative sepse nuk do të japë përgjigje ky regjistrim kështu siç është”.

Ai kritikon Qeverinë që nuk bleu terminale për gjurmët e gishtërinjve, ndërsa merr shembull shtetin shqiptar, që për tre muaj i ka siguruar terminalet të cilat do t’i përdorin për zgjedhjet parlamentare që i kanë në pranverën e këtij viti.

Hrisitijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së

“Thanë se nuk mund të bëhet regjistrim me gjurmë të gishtërinjëve. Sot lexova se Shqipëria fqinje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në prill, në afat prej tre muajsh kanë realizuar procedurë dhe kanë siguruar terminale, ku KSHZ do t’i realizoj këto zgjedhje, përmes këtyre terminaleve, për leximin e gjurmëve të gishtërinjve. Për vetëm 3 muaj. Por ata nuk deshën ta bëjnë këtë. Ja Shqipëria po ju mban leksione se si mund ta bëjnë atë”.

Mes tjerash, kryetari i VMRO-së në pyetjen për shumicën parlamentare dhe bisedimet me partitë, ai u përgjigj se nuk janë naiv as ata dhe as partitë e tjera që të dalin dhe të pranojnë se po bëjnë konsultime për shumicë të re që pastaj të bien preh e presioneve të Zoran Zaevit, prandaj shtoi se së shpejti do të dihet se kush ka të drejtë.