Ndërmjetësi i KB-së në kontestin për emrin Methju Nimic pas vizitës në Athinë, sot arriti në Shkup në bisedime dyditore me kreun shtetëror të Maqedonisë.

Nimic paradite ishte në hotelin “Holidej in” me bashkëpunëtorët e tij, por nuk dha deklaratë për mediat.

Deklaratë nga ndërmjetësi Methju Nimic, siç informojnë nga MPJ, është paraparë pas takimit të tij me ministrin Dimitrov.

Nimic, siç është paralajmëruar do të pritet nga presidenti Gjorge Ivanov, zëvendëskryeministri Zoran Zaev, ndërsa do të ketë takime edhe me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, me kryetarin BDI-së Ali Ahmeti dhe  me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski.

Nimic, dje, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikos Koxias, deklaroi se ekziston moment dhe se është koha për marrjen e vendimeve. Në takim të dy kanë biseduar për idetë të cilat ndërmjetësi i ka parashtruar para dy javëve, i ka dëgjuar pozicionet e Qeverisë dhe vlerësoi se Qeveria greke është e sinqertë dhe aktive në zgjidhjen e problemit.

“Mendoj se ka ardhur momenti. Pritja nuk ka kuptim as këtu, e as tek fqinji verior, përgjithësisht nuk ka kuptim. Bisedojmë për këtë çështje 25 vite, të gjithë e dinë se cilat janë çështjet. Ka ardhur koha për marrje të vendimeve dhe mendoj se jemi në këtë pikë”, tha ndërmjetësuesi pas takimit me Koxiasin, pa dhënë afat konkret kohor, duke potencuar se javëve të ardhshme do të ketë bisedime dhe pastaj do të duhet prej në fillim të vlerësohet situata.

Në deklaratën për mediat, ai nuk deshi t’i zbulojë idetë dhe propozimet e tij, duke thënë se nuk është ide e mirë të komentojë se çka ka propozuar. Theksoi se në mediat dolën disa nga idetë, por theksoi se publikisht tani për tani nuk mund të flitet për këtë.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë greke në intervistë për televizionin grek ERT zbuloi se Greqia nga fundi i shkurtit do t’i parashtrojë Maqedonisë projekt marrëveshjen me katër pika –   propozime për emrin, irredentizmin, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rajonale të Maqedonisë dhe masa për agjendë pozitive. Ai, dje, lidhur me me projekt marrëveshjen, duke u përgjigjur në pyetjen e korrespondentit të MIA-s nga Athina, theksoi se marrëveshja nuk do të jetë e tipit merre ose lere dhe se pala tjetër do të ketë mundësi që të intervenojë me propozimet e saj. Ai thotë se pala maqedonase e njeh mirë këtë ide, por përmbajtja është përpunuar nga Athina, ndërsa për afatin kohor, ai shkurtimisht komenton “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Për projekt rezolutën, ai tha se e ka informuar edhe ndërmjetësin Nimic.

Nga kabineti i shefit të diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, për MIA-n deklaruan se në prag të vizitës së të dërguarit të posaçëm të KB-së, Methju Nimic, shpallja publike e qëndrimeve përfundimtare mund të zvogëlojë hapësirën për bisedime.

“Nga ana jonë ka vullnet të mirë për zgjidhje të pranueshme reciproke e cila do t’i respektojë interesat, dinjitetin dhe identitetin e dy popujve. Për të arritur deri në zgjidhje do të duhet vullnet i mirë edhe nga ana tjetër”, theksohet në reagimin e MPJ të Maqedonisë për deklaratën e Koxiasit.