Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka zbuluar disa detaje nga darka e ndërrimit të viteve në familjen presidenciale.

Ajo dhe presidenti Ilir Meta e kanë pritur 2018-ën në shtëpinë e tyre, së bashku me fëmijët, dy vajzat dhe djalin. Pasi kanë shtruar tryezën dhe kanë pritur orën të trokasë 00.00, fëmijët kanë dalë të festojnë me miqtë e tyre, ndërsa çifti Mona dhe Ilir Meta, kanë festuar në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Një detaj interesant që zonja Kryemadhi zbulon, është ndihma që i kanë dhënë vajzat për shtrimin e darkës dhe larjen e enëvë. “E mbajtën fjalën”, shkruan Kryemadhi në një postim në rrjetin social Facebook, ku ka ndarë edhe një foto me bashkëshortin e saj, presidentin Ilir Meta, teksa janë duke pirë kafen e parë për vitin 2018.

“Kafja e parë e 2018 me qetësi dhe dashuri. Bora dhe Era e mbajtën fjalën, e shtruan tavolinën dhe i lanë të gjitha enët. Normal që pas orës 12 gëzuan me shoqërinë e tyre, ndërsa ne të dy në shoqërinë e njëri-tjetrit. Gëzuar edhe të gjithëve ju me familjet tuaja!”, – shkruan Kryemadhi.