Nisma për Kosovën, në prani të strukturave të saj, të shtunën ka mbajtur dyvjetorin e themelimit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se është bërë domosdoshmëri që ta kemi një parti qytetare progresiste e cila do të bëhet udhërrëfyesi moral dhe politik i Kosovës demokratike. “Republika e Kosovës duhet të lirohet nga partitë klienteliste me të cilat nuk mund të ndërtohet shteti i së drejtës. Me këto parti klienteliste, Kosova do të përjeton degradime të tjera tepër të dhimbshme, ato janë para nesh. Ditë të vështira na presin, por në ditë të vështira njerëzit tregojnë integritetin e tyre njerëzor e kombëtar”, është shprehur Krasniqi.
Ndërsa, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka përshëndetur të gjithë anëtarët e Nismës, në veçanti kryetarët e degëve, duke shprehur fjalë të mira edhe për kryetarin e Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, duke thënë se punët pozitive në shërbim të Nismës për Kosovën, të z. Krasniqi, janë për t’u krenuar.
Po ashtu, kryetari Limaj ka falënderuar gjithë ata që kanë kontribuar për Nismën, duke thënë se falë kontributit të juaj, Nisma sot është në skenën politike dhe një zë i fuqishëm ne Kuvend të Kosovës, dhe që do të vazhdoj t’ju dalë në mbrojtje të pambrojturve në Kosovë. “Në zemër të Nismës mbizotëron solidariteti mes njerëzve”, ka deklaruar Limaj.
Edhe shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, në fjalimin e saj ka falënderuar gjithë anëtarët e simpatizantët e Nismës, në veçanti, forumet e gruas në çdo degë të Nismës në nivel vendi.
Ajo ka thënë se Nisma për Kosovën do të krijojë hapësirë për secilin qytetar e qytetare që shpreh dëshirën, vullnetin, energjinë pozitive, kapacitetin intelektual në ndërtimin dhe ndryshimin e të ardhmes së tyre.