Të dashur shqiptarë e sidomos ju të nderuar bashkëatdhetarë që ktheheni në vendlindje.
Me ardhjen e kohës së pushimeve, zakonisht dhe tradicionalisht bëhen edhe shumë dasma,
martesa, fejesa dhe ceremoni tjera gëzimi nëpër familjet shqiptare.
Ju të përmalluar bashkëatdhetarë dhe ju të tjerë shqiptarë, katundarë e qytetarë, të fushës apo
malësisë, ju lutem që para se të filloni përgaditjet tuaja përfundimtare për “gëzimet” tuaja të
shumëpritura familjare, t’i keni parasysh disa gjëra?!
Automjeteve tuaja “grahuni” sa më shpejtë që është mundur, pa rreshtur ditë e natë, që të mund
të “lehtësoni” vetveten dhe eventualisht të sakatoni ndonjë tjetër individ në vetëurën tuaj apo
edhe jashtë saj. Pjesëtarët tjerë në komunikacion, mos i përfillni e mos i “bëni hesap” fare. Bile
mos e leni pa e shkelur ndonjë macë, ndonjë qen, ndonjë lopë, e pse jo edhe ndonjë kalë, sepse
në gjë e tillë ndodh qw tw ju sjell “fat”?!
Veturën tuaj vazhdimishtë mbajeni nxehur dhe në kondicion, për t’ua zënë rrugën të tjerve, për
t’i tejkaluar ata dhe pa përjashtim me burri fishkëlleni sa të mundeni edhe në ora 00:00, edhe në
ora 1, 2, 3, pas mesnate dhe mos harroni që nga një herë edhe t’i fishkëlleni edhe rrotat dhe të
tymosni rrugët ku ju kaloni që t’u njihen gjurmët tuaja të “shtrenjta”.
Nëpër dasma, mos kurseni asgjë. Sa më tepër harxhime, sa më tepër gjëra ekstravagante, sa më
tepër “vese” të reja, për të qenë të sigurt që mos t’ua kaloj askush tjetër. Me një palë muzika
assesi mos mbeteni. Mundësisht një javë resht t’i ndërroni këngëtarët si për në shtëpi, ashtu edhe
për në restorante. Gjithmonë kërkoni më të shtrenjtët. Ato këngëtare që gjatë vitit i gjen nëpër
lokalet me muzikë dhe bixhoz, pa përjashtuar Kallashin e Kosovës. Mbulojeni me lekë ate, sepse
ajo do bëhet “gëzimi” më i madh i juaji dhe familjes tuaj duke u shkundur e tundur me tupana,
prandaj duhet t’i merrni edhe zurlet dhe tupanat dhe të mos e kurseni veten fare, sepse veprimet e
saja do ju ”dehin” fare!
Në momentet më emocionuese nuk do harroni që të shkrepni edhe me armë dhe me shumë
rafale. Këtë zanat madje duhet t’ua mësoni edhe fëmijve tuaj adoleshëntë për ta përvetësuar si
Baba-zanat, ndërsa nusja dhe dhëndri së paku duhet të zbrazin nga një karikator.
Nëse ndodh që të plagosni ose të sakatoni ndonjë dasmor apo kalimtar rasti, mos u brengosni
fare, sepse kjo “rastësi” , do t’i jepte namin “gëzimit” tuaj familjar.
Kur të merrni nusen, kolonat e automjeteve bëni sa më të gjata, dhe pa i bërë 4-5 orë shëtitje
nëpër çdo rrugë apo rrugicë të katundit apo qytetit, mos e sjellni nusen në shtëpinë e dhëndrit
sepse kështu ja largoni të ligat shtëpisë tuaj?! Me këtë “paradë” martesore, jo vetëm që të tjerve
do ua “shkurtoni” ditën, mundësisht duke ua zënë rrugët, por edhe do i detyroni ata që të mos
dalin fare nëpër rrugë, sepse e gjithë hapësira e lagjes, katundit apo qytetit, këtë ditë ju takon
Edhe nëse ndodh që të ketë ndonjë rast urgjent i ndonjë të sëmuri, plaku apo fëmije, ju mos u
brengosni fare, por vazhdoni me “gëzimin” tuaj të veçantë. Lozni, kërceni, këndoni, shfrenohuni
dhe sidomos mos i ndalni gjuajtjet me armë midis njerzive, sepse këtë “gëzim” familjar duhet t’a
ndani me turmën e mysafirve të hipnotizuar!
Pasi të keni bërë të gjitha këto veprime dhe pasi të këni përfunduar të gjitha ceremonitë e
“gëzimit” tuaj familjar, mos pushoni fare, por menjëherë filloni të mendoni për vitin e ardhshëm.
Menjëherë filloni përgaditjet edhe më të mëdhaj për “gëzimin” e rradhës, për ta bërë atë edhe më
“madhështor” edhe më “spektakolar”, pavarësisht kostos materiale afatshkurte, pavarësisht
krediteve të papaguara dhe sidomos pa llogaritur fare “koston” familjare dhe ate shoqërore dhe
kombëtare afatgjate!