Aktivistja Valbona Reka tashmë disa ditë është duke protestuar vet, duke e bllokuar hyrjen në parkingun nëntokësor për ndërtesën e re në rrugën “Resenska” në.8 në lagjen Çair, që gjendet përballë Poliklinikës “Çair”.

Reka theksoi se para tre viteve ka mbledhur nënshkrime për peticionin e banorëve nga ndërtesa e afërt me të cilën kanë kërkuar që të mos ndërtohet ndërtesë e re në park, në lokacionin që e ka blerë ish ministri i punës dhe politikës sociale, Xhelal Bajrami. Por, pasi që objekti ka nisur të ndërtohet, banorët kanë pasur disa kërkesa.

“Jemi të mashtruar nga kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe nga investitorët, pasi që kemi nënshkruar një marrëveshje se do të na plotësohen 21 kërkesa. Ne kemi kërkuar që të rregullohet pjesa e parkut që ka ngel, të fasadohen dy ndërtesat, të bëhet rruga, garazhet, të vendosen ashensor në ndërtesa. Pika 11 nga kërkesat parasheh se për parkimin e veturave të banorëve në ndërtesën e re do të diskutohet në vendngjarje për t`u gjetur zgjidhje. Por, i tërë objekti është ndërtuar. Këtyre ditëve e pamë se ka një parking nëntokësor për të cilin ne nuk ishim të njoftuar. Me këtë parking do të kemi problem, ne banorët dhe të tjerët, pasi që nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme për veturat tona. Ku do t`i parkojmë ne veturat, pasi që do ta uzurpojnë tërë rrugën”, theksoi Reka.