SAMI NEZA

Ali Ahmeti ndodhet ende në zonën e dilemave, ku kemi hyrë në javën e fundit të përcaktimit të partive shqiptare për koalicionin qeveritar në Maqedoni. Ai është zgjedhur qoftë nga Gruevski, qoftë nga Zaev, si një mundësi e vetme dhe në të njëjtën kohë edhe mundësi e fundit. Tani është ai që duhet të zgjedhë. Nuk e ka të lehtë. Bashkë me partitë e tjera shqiptare, në një ditë ku ra në sy jo pak refuzimi i politikanëve shqiptarë prej votuesve shqiptarë, BDI dhe partitë e tjera shqiptare ndërtuan një platformë, që synon të implementohet bashkë me qeverinë që do të formohet. Për herë të parë shqiptarët janë në gjendje të përcaktojnë se kush do të qeverisë në Maqedoni. Me mençuri ata nuk e lanë të sillej rrethi i fatit sipas një lëvizjeje të lirë, por ia veshën marrëveshjen, duke shkëlqyer me lëvizjen e tyre fill pas shpullës që morën prej mijërave votuesve shqiptarë.

Ky është një moment, në fakt, i cili duket se nuk ka shumë lidhje me qeverisjen apo koalicionin, pasi zgjedhjet kanë mbaruar dhe shifrat janë renditur në atë mënyrë që, teksa u ka dhënë më pak deputetë shqiptarëve, ua ka shtuar shumë më tepër rëndësinë se edhe atëherë kur kishin 29 deputetë në Parlamentin maqedonas.

 

Shqiptarët që nuk votuan për partitë shqiptare, nuk ishin pak. Por ndërkaq vota e tyre nuk u shpërnda në të gjitha partitë maqedonase, çfarë do të bënte të skuqeshin nga turpi pak më shumë “liderët politikë të Tetovës”. Pra disa prej tyre të votonin për LSDM, disa për VMRO-DPMNE, apo ndonjë parti më të vogël të maqedonasve. Ata votuan në fakt vetëm për një parti, atë të opozitës së Zaevit, duke shënuar kështu një rast të parë, ku shqiptarët zhvendosën votën në një numër të madh nga partitë e tyre te një parti maqedonase.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë të drejtë të votojnë kë të duan si qytetarë të lirë të një vendi të lirë. Ata mund të aplikojnë lirinë e tyre, duke votuar për atë që pëlqejnë, ose edhe duke mos votuar fare, siç edhe ndodh rëndom. Devijimi i tyre nga vota për partitë shqiptare mund të jetë plotësisht në pajtim me lirinë që trajtuam më sipër, por është e dyshimtë në mes dhjetëra dyshimesh që kanë shqiptarët dhe maqedonasit mes tyre se pse votat u dhanë vetëm për LSDM. A munguan ndërkohë mundësitë që votat e shqiptarëve të pakënaqur me partitë e traditës si PDSH dhe BDI të shkarkoheshin bashkë me zemërimin e tyre te partitë të tjera shqiptare? Në këto zgjidhje si asnjëherë më parë kishte dy parti të reja shqiptare që u përfaqësuan denjësisht në zgjedhje. Morën për herë të parë deputetë pas një debutimi relativisht të shkurtër në politikën maqedonase, BESA u rendit edhe e dyta pas BDI-së. Votat e shqiptarëve mund të shkonin te këto parti, të cilat nuk ishin kompromentuar me pushtetin e Gruevskit dhe qeverinë e tij, që u detyrua të largohej pas një sërë skandalesh dhe keqqeverisjes.

Por, qartësisht, nuk shkuan. Kishte një mekanizëm tjetër që i devijoi ato për te partia e opozitës LSDM. Nuk bëhet fjalë që Zaev të ketë ndërtuar një sistem trafikimi të votës së shqiptarëve, apo të ketë pasur manipulim në zonat shqiptare nga ana e komisionerëve të votimit. Të paktën vëzhguesit, nuk kanë dhënë raste thelbësore të manipulimit të votës së shqiptarëve në favor të LSDM-së. As nga partitë shqiptare, nuk është pretenduar një gjë e tillë.

LSDM, duke përdorur petkun e opozitës, disa momente të ndjeshme siç ishin gjyqet e kurdisura ndaj shqiptarëve nga regjimi i Gruevskit dhe që i denoncoi Zaev, mosvë- mendja e partisë në pushtet, BDI, ndaj popullit të vet dhe jo thjesht votuesit të vet, tërhoqi në strukturat e saj mijëra votues. Ndodhi për herë të që nga viti 2001 që një parti maqedonase të shtrinte kapacitetet menaxhuese të përkrahjes elektorale në zonat shqiptare.

Maqedonia është një shtet i vetëm, popullsitë janë të ndryshme. Partitë ashtu si qytetarët kanë të drejtë të shkojnë ku të duan dhe të tërheqin sa më shumë vota. Por ndërkohë që oreksi elektoral mund të zgjerohet për shkak të rrethanave, mund të ndodhë që pre e këtij oreksi të bëhet edhe aspiratat.

Duke votuar LSDM, shqiptarët e joshur prej saj në fakt i kanë dhënë një dorë të mirë opozitës për të ardhur në pushtet, por ndërkohë kanë zbehur, në mos edhe fshehur, identifikimin e problematikave të tyre që duhet të artikulohen përmes nacionit dhe është e pamundur të artikulohen ndryshe.

Është e dyshimtë nëse shqiptarët ia dalin të identifikohen si nacion, teksa përthithen si mendim e votë politike nga partitë e një nacioni tjetër më të madh dhe ndërkaq jo aq civil në raport me shqiptarët. Nëse shqiptarët do të kishin përmbushur gjithë aspiratën e tyre si nacion brenda shtetit maqedon dhe repartet politike të Maqedonisë respektojnë dhe ndajnë me ta në mënyrë proporcionale pushtetin, të mirat e tij, atëherë diskutimi i mësipërm do të ishte i gjithi në kohën e shkuar. Por nuk është kështu, edhe pse kanë kaluar 16 vjet nga lufta në Maqedoni mes shqiptarëve dhe policisë e ushtrisë maqedonase.

Pikërisht, në mbyllje të kësaj lufte, kur u analizuan edhe shkaqet e saj dhe mënyrat se si ajo të mos ishte më mjet për të arritur të drejta, u përpilua dhe u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit është respektimi i përmbajtjes së komuniteteve, jo thjesht si përkatësi nacionale, por edhe si përmbajtje e këtyre bashkësive, politika, gjuha, administrimi, vetëqeverisja lokale etj. Në të gjitha përcaktimet e saj ajo u referohet bashkësive (komuniteteve) dhe jo individit.

Ajo marrëveshje ishte rezultat i një analize të madhe dhe ndërkohë edhe një platformë për të shkuar te dita kur LSDM dhe BDI mund të depërtojnë drejt komuniteteve të njëritjetrit. Ky është rasti ideal dhe jemi shumë larg këtij synimi të mirë dhe të madh. LSDM ndërtoi struktura elektorale në zonat shqiptare, duke dëmtuar në perspektivë transformimin e shqiptarëve. Ndërkaq përmes këtij aksioni inkurajon mjegullimin e tyre kombëtar nën nevojën reale që kishte Maqedonia për të përmirësuar qeverisjen e vet.

Nëse kjo taktikë e LSDM erdhi vetëm si nevojë elektorale, apo si një platformë afatgjatë e reduktimit të nacionit tjetër brenda Maqedonisë politike, mbetet për t’u parë, por jo për të mos u konsideruar këto ditë që vendoset për qeverinë e vendit.

Ka një shembull, përmes të cilit shqiptarët e Maqedonisë dhe partitë politike atje duhet të nxjerrin ndonjë përfundim për vete. Shqiptarët në Malin e Zi janë reduktuar si faktor politik në këtë vend, që nga ardhja e Gjukanoviçit në pushtet, edhe pse sjellja e tij ndaj shqiptarëve diferencohet pozitivisht nga paraardhësi i tij. Ata janë përthithur prej socialdemokratëve malazezë dhe Gjukanoviçi bashkë me shqiptarët ia ka dalë të fitojë beteja politike të jashtëzakonshme si pavarësinë, NATO-n dhe, ndërkaq, pushtetin për një periudhë të gjatë. Sa më të mëdha bëhen arritjet politike të Gjukanoviçit apo të familjes së tij politike, ku shqiptarët kanë rol të madh, aq më shumë bie roli i shqiptarëve në pushtet, politikë, vendimmarrje, organizimin lokal, të drejta, punësimin në administratën publike etj. Kjo sepse ata i janë nënshtruar një procesi përthithjeje, fillimisht për qëllime të mëdha dhe më pas për qëllime që shkojnë kundër tyre. Duke qenë jashtë profilit nacional, ata nuk ia dalin të ndikojnë edhe për të mirën e vet politikën dhe vendimmarrjen në Podgoricë.

Ali Ahmeti ka një javë kohë për të ndarë mendjen në lidhje me qeverinë. Ai duhet t’i japë Maqedonisë një qeveri më të mirë për të gjithë qytetarët e saj pa dallim dhe dilemat që e kanë mbërthyer të mos bëhen arsye për të negociuar marrëveshjen, por për ta forcuar atë. Ndërkaq, kur të takojë Zaevin, t’ia shpjegojë pak këtë histori, që ai të heqë dorë prej saj si një gjest i mirë dhe në respekt të aspiratave shqiptare që nuk dëmtojnë Maqedoninë, por vetëm e forcojnë atë edhe më shumë si shtet.