Me tre gusht të vitit 2015 kanë ndodhur disa vërshime të frikshme në Tetovë, ku  u shkaktuan dëme të dukshme materiale, por edhe si rezultat i vërshimeve ndërruan jetë katër persona.

Në atë kohë, opinioni i brendshëm dhe rajonal u alarmua duke u solidarizuar në mënyra të ndryshme për të dërguar ndihma të përgjithshme në Tetovë. Komuna e Tetovës shpalli gjendjen e krizës, me ç`rast njëzet e katër orë inspektohej në terren dhe u hapën qendrat e pranimit të ndihmave nga qytetar të shumtë të interesuar për të ndihmuar.

Atë kohë, përveç ndihmave që arritën nga të gjitha anët shqiptare, u premtuan edhe shumë ndihma nga Qeveria e Maqedonisë, Shqipërisë, kryetar komunash e shoqatash të ndryshme. Por, çka ndodhi me ndihmat e premtuara nga komunat, qeveritë e ministritë?

Ende sot e kësaj dite, nuk kanë arritur mjetet e premtuara nga komunat e ndryshme për komunën e Tetovës, si dhe nga qeveria e Maqedonisë dhe e Shqipërisë.

Ajo që ra në sy gjatë tre gushtit të vitit të kaluar ishte solidarizimi i skajshëm i banorëve të Tetovës me familjet të cilat ishin viktimë e vërshimeve të frikshme.