Zgjedhjet e 11 dhjetorit mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese nëse deri në mbajtjen e tyre nuk zgjidhet problemi në njësinë e gjashtë zgjedhore ku sërish është konstatuar se numri i votuesve ka tejkaluar limitet ligjore. Profesori Izet Zeqiri, thotë se problemi është serioz megjithatë, nuk beson se zgjedhjet do të shtyhen sërish. Sipas tij, krerët e partive kryesore gjatë negociatave për zgjedhje korrekte nuk janë angazhuar për tejkalimin e këtij problemi me qëllim që më pas të kenë mundësi të kontestojnë procesin elektoral nëse nuk u konvenojnë rezultatet.

“Dallimet që ekzistojnë në njësinë e gjashtë e cila aktualisht ka diku 311 mijë votues kurse njësia një ka 275 mijë votues dhe kjo diferencë mbi 30 mijë votues është e pakuptimtë. Shtrohet pyetja, pse ministria e Drejtësisë nuk ka propozuar ndryshimin e kufijve zgjedhor? Asgjë në Maqedoni nuk është legjitime, duke marr parasysh këtë katrahurë që është duke e përcjellë vendin mendoj se është përgjegjësi e ministrisë së Drejtësisë që të propozojë ligj me procedurë të shpejtuar në parlament”, deklaroi profesori universitar Izet Zeqiri.

Pavarësisht se bëhet fjalë për shkelje të Kodit Zgjedhor, analisti Risto Nikovski, thotë se politikanët duhet të mbyllin sytë para këtij problemi për të mos lejuar shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme që sipas tij janë alternativa e vetme për zgjidhjen e krizës.

“Deri tani ky problem ka qenë prezent disa herë dhe e kemi toleruar. Prandaj po them se duhet të ngrihemi mbi interesa të ngushta. Theksuam se bëhet fjalë për problem serioz që duhet të zgjidhet por në këtë situatë duhet të shohim më larg sepse interesi ynë është që zgjedhje të ketë sa më parë sepse vetëm kështu do të lëvizim në një drejtim pozitiv”, u shpreh analisti Risto Nikovski.

Sipas të dhënave të fundit të KSHZ-së në njësinë zgjedhore numër gjashtë numri i votuesve është për 5.28% më i lartë krahasuar me njësitë tjera zgjedhore. Për të tejkaluar problemin, ministri i Drejtësisë apo vetë deputetët duhet të ngrenë nismë në Kuvend për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në pjesën ku parashikohet ndryshimi i kufijve të njësive zgjedhore për të balancuar numrin e votuesve. 7Alsat-M