Abdulla Mehmeti

Më në fund duhet ta kuptojnë qytetarët shqiptarë në Maqedoni, sidomos subjektet politike, se atyre nuk u kanë munguar programet relativisht të mira partiake, platformat, deklaratat politike (si Deklarata e partive shqiptare parlamentare e 7 janarit 2017), marrëveshjet (si Marrëveshja kornizë e Ohrit), për avancimin e statusit juridik-kushtetues, sigurimin e barazisë së plotë të shqiptarëve si popull shtetformues në Maqedoni, por u kanë munguar bartësit dhe realizuesit e denjë të këtyre projekteve, subjektet politike me përgjegjësi të nevojshme dhe kuadri profesional me orientim demokratik dhe kombëtar.

Nuk ka asnjë rast të ngjashëm në historinë e popujve dhe shteteve, për tri dekada me radhë të gjenden kaq shumë arsye për mosrealizimin e të drejtave të ligjshme të një populli, siç janë shqiptarët në Maqedoni, si: pavarësimi pa luftë i shtetit nga ish federata jugosllave, kriza politike e brendshme, embargot ekonomike, afera e përgjimeve, ndeshja e ligjeve me Kushtetutën, Badinteri, Komisioni i Venecias dhe kodër pas bregu, në pakufi.

Përderisa ta kuptojnë shumica e qytetarëve shqiptarë të këtij vendi se kush i ka udhëhequr deri më sot dhe çfarë struktura kriminele të kapura nga mafia dhe shërbimet sekrete vendëse dhe të huaja vazhdojnë t’i udhëheqin edhe më tej, Republika e Maqedonisë, si përherë gjatë njëqind viteve të fundit, 1913-2017, do të përplaset mes interesave serbe e bullgare, (qeveritë e udhëhequra nga kualicionet politike të udhëhequra qoftë VMRO apo LSDM), përherë duke pasur synim dobësimin e faktorit shqiptar, dezorientimin, varfërimin, akulturimin, asimilimin dhe shpërnguljen e sa më tepër shqiptarëve nga këto hapësira, me të vetmin qëllim, krijimin dhe forcimin e shtetit nacional maqedonas, si shtet sllav dhe ortodoks, pavarësisht animeve të tij, herë proserbe dhe herë probullgare.

Shqiptarët përfundimisht duhet të organizohen dhe të vendosin për largimin e menjëhershëm të strukturave politike të korruptuara dhe kriminale (me mjete demokratike, presione të fuqishme, protesta, mosvotim, mosbashkëpunim, denoncim të vazhdueshëm për dështimet, korrupsionin dhe kriminalitetin e tyre), si struktura politike joproduktive, të ngathëta, joprofesionale dhe jokombëtare (të akuzuar edhe nga ndërkombëtarët për krime të rënda).

Përfundimisht duhet të binden shqiptarët se, siç thotë populli: ,,Nuk bëhet stan me derra” (respekt për disa poltikanë që nuk e meritojnë këtë epitet, të cilët padashur janë ngatërruar në këto rrjete të errëta krimi dhe spiunazhi).

(8.VII.2017)