Testimi ekstern për maturant ka kaluar me probleme teknike dhe përmbajtjesore. Unioni i nxënësve shqiptarë, referuar denoncimeve që janë bërë nga nxënësit, konstaton se testimi i fundit ekstern nuk kishte aspak dallim nga ato të viteve të kaluara. UNSH kërkon anulimin e tij.
Kjo ka konfirmuar se ky projekt është i dështuar dhe se nuk duhet të vazhdohet më tepër. Nuk po kryen punë as dialogu që po zhvillojmë me kompetentët. Nëse edhe dialogu nuk do të sjell përfundime, sigurisht që do të merren edhe masa tjera që ky projekt të mos vazhdojë së zbatuari – tha Majlinca Çilafi, Kryetare e UNSH-së.
Konstatim të ngjashëm ka sjellë edhe Qendra për menaxhim me ndryshime. Sipas përfundimeve të kësaj qendre testimi ekstern teston të mbajturit mend përmendësh dhe jo njohurit e nxënësve.
85 për qind e nxënësve dhe 80 për qind e mësimdhënësve nuk janë të kënaqur nga testimi. 77 për qind e nxënësve konsiderojnë se vlerësimi i mësimdhënësve është me real se testimi ekstern – bënë të ditur nga Qendra për menaxhim me ndryshime.
Alsat M ditë më parë siguroi edhe fotografi nga testimi ekstern në të cilat vëreheshin pyetje në gjuhën shqipe dhe alternativa për përgjigje në gjuhën maqedonase. Përveç kësaj, në disa shkolla ditë më parë disa herë është bllokuar sistemi i testimit. Nga Qendra për provime shtetërore thonë se do të presin rezultatet preliminare nga testimi për të vazhduar më pas me shqyrtimin e ankesave.
Pas shpalljes së rezultateve preliminare do të presim ankesat nga nxënësit. Ankesat do të shqyrtohen nga Komisionet përkatëse dhe do të vendoset në bazë të konstatimeve nga komisioni – shtuan nga Qendra shtetërore për provime.
Testimi ekstern deri më tani kryesisht ka rezultuar me gabime drejtshkrimore dhe përmbajtjesore, përfshi këtu edhe nënvlerësime dhe diskriminime në baza etnike. Ligji për arsim të mesëm disa herë ka pësuar ndryshime por testimi ekstern nuk është anuluar pavarësisht këmbënguljes së nxënësve dhe prindërve përmes protestave. Një premtim për anulimin e tij e ka dhënë LSDM-ja në rast të ardhjes në pushtet.